Subscribe

Mesdita e 16 viteve më parë shënjoi një nga ngjarjet më tragjike në vend, atë të shpërthimit të fabrikës së demontimit të armëve në Gërdec. Jeta e 26 njerëzve u shua, ndërsa me qindra të tjerë u plagosën. Por sot familjarët e viktimave, së bashku me të mbijetuarit ende nuk kanë gjetur paqe nga drejtësia.

Në Gjykatën e Posaçme punëtorët e fabrikës që po kryente çmontimin e tepricave të armëve dhe municioneve në Gërdec, kanë dhënë dëshmi nga më rrëqethëset për përpjekjen e tyre që tu shpëtonin flakëve të barutit që përpinë gjithë zonën.

Në bankën e të akuzuarve sot është vënë ish- ministri i mbrojtjes për kohën, Fatmir Mediu për shpërdorim të dyfishtë të detyrës, sipas kodit penal e atij ushtarak. Familjarë e të mbijetuar e bëjnë atë përgjegjës për ngjarjen, ndërsa ai vetë thotë se përgjegjësia e tij ka qenë vetëm politike, e dhimbja e tyre po përdoret për fushata elektorale.

Pasi mori të pandehur Fatmir Mediun, paralel, Prokuroria Antikorrupsion po heton rolin e të gjithë zinxhirit komandues dhe nëse funksionarë të lartë të kohës kanë kryer korrupsion apo pastrim parash përmes procedurave të shitjes së municioneve në disa shoqëri të huaja me bazë në Qipro e Florida.

Ndërkaq, 5 të dënuarit e vitit 2013 nga Gjykata e Apelit, sot gëzojnë lirinë.

Asokohe, Apeli lehtësoi dënimet për të pandehurit, duke dënuar me 15 vjet burg drejtorin e “MEICO” Ylli Pinari, me nga 10 vjet Sokol Gjecin dhe Mihal Delijorgjin.

6 vjet heqje lirie Apeli i dha ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha. Ky i fundit u dënua në mungesë, ndërsa ka fituar azil politik në SHBA.

Të dënuarit e fituan lirinë për sjellje të mirë. /vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *