Greqia do të nxisë të gjithë të rinjtë e moshës 18-25 vjeç të vaksinohen ndaj Covid-19 përmes një oferte për pushime dhe argëtim falas. Qeveria njoftoi se do të shpërndajë të ashtuquajturat “Pasaporta të Lirisë” për çdo të lindur mes viteve 1996-2003, që është vaksinuar ose do ta bëjë diçka të tillë gjatë kësaj vere. Nisma synon të rrisë nivelin e vaksinimit mes të rinjve, të cilët ndihen më të mbrojtur nga pasojat e virusit.

 

“Pasaporta e Lirisë” do të jetë një kartë e parapaguar me vlerë 150 euro, e cila do të mund të përdoret për udhëtime, vizita në muze, bileta për aktivitete kulturore dhe për në parqet arkeologjike. Teksa bëri publik këtë plan, kryeministri i shtetit fqinj, Kiriakos Micotakis, tha se dokumenti do të jetë në përdorim duke filluar nga 10-ditëshi i fundit i muajit korrik.

 

“Duke përdorur këtë portofol të ri digjital, të rinjtë tanë do të kenë pushime më të lehta. Ky është një borxh që ne kemi ndaj të rinjve, një falenderim për këmbënguljen dhe durimin e tyre. Është gjithashtu një nxitje për të vaksinuar të rinjtë që kontribuojnë më shumë në lëvizje. Ky motivim ka të bëjë edhe me luftën kundër mutacionit të tipit D, pra janë të rinjtë që kanë në dorë frenimin e virusit në mënyrë që të arrijmë 70%, pse jo 80% të imunizimit”.

 

Athina zyrtare nuk është e para që ofron dhurata në këmbim të vaksinimit. Më herët qeveri të vendeve të tjera si Ohaio, Kalifornia, Nju Jorku, Virxhinia dhe Xhorxhia në Shtetet e Bashkuara, Hong Kongu e Indonezia, kanë ofruar çmime të ndryshme për të inkurajuar injektimin e dozave nga skeptikët. Dhuratat variojnë nga lotari marramendëse, deri tek armët e gjahut, pulat e petullat.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *