Subscribe

Greqia fqinje po përballet me një emergjencë humanitare pas djegies së kampit më të madh në ishullin Lesbos. Rreth 13 mijë refugjatë kanë mbetur të pastrehë, ndërsa 400 adoleshentë dhe fëmijë janë shpërndarë në disa vende të BE.

Policia i bllokoi rrugët nga kampi, për të penguar hyrjen e emigrantëve në qytetet pranë. Shumë prej tyre kanë fjetur nëpër fusha, rrugë, apo çdo vend tjetër të mundshëm.

Ministria Greke e Migracionit ka mobilizuar disa anije për të strehuar përkohësisht qindra njerëz ndërsa nënpresidenti i Komisionit Europian, Margaritis Schinas, do të vizitojë sot ishullin.

Zyrtarët shprehen se zjarri në kampin Moria ishte i qëllimshëm pasi 35 persona që rezultuan pozitivë ndaj Covid-19 kanë kundërshtuar izolimin dhe në shenjë proteste i kanë vënë flakën ambienteve ku ishin karantinuar.

Vendet europiane janë përgjigjur me oferta ndihme, mes thirrjeve për reforma urgjente të sistemit të azilit në bllokun Europian.

Që kur u bë një nga portat kryesore në Evropë për emigrantët dhe azilkërkuesit në vitin 2015, Greqia ka ndërtuar dhjetëra qendra ndalimi në të gjithë vendin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *