112 gra largohen nga strukturat e LSI-së së Beratit, i bashkohen PS

112 gra nga strukturat e LSI-së së Beratit janë larguar nga LSI këtë të diel, për t’iu bashkuar Partisë Socialiste. Ka qenë kryetarja e Gruas së Rajonit nr.2 të LSI Berat, Entela Vreko ajo që ka folur në emër grave të larguara sot nga LSI. Vreko ka deklaruar se ishte një vendim i vështirë, por i pashmangshëm për të dhe të gjitha gratë e tjera, që kanë kontribuar në LSI që nga krijimi i saj, raporton Vizion Plus.
“Jam e keqardhur që LSI është kthyer në një parti klanore dhe farefisnore. Pakënaqësitë tona kanë filluar që në vitin 2015 me eksperimentin që lidershipi i LSI-së ka bërë kryesisht me Bashkinë e Beratit. Modeli që LSI solli në Bashkinë e Beratit ishte një model qeverisje i dështuar që në nisje,si pasojë e vendosjes së një kryetari (kushëri) hajdut,imoral,tinzar dhe shpirtëzi. Ky ishte modeli i korrupsionit, nepotizmit, ryshfetit dhe pabesisë që vuajtën jo vetëm anëtarët e LSI-së por gjithë qytetarët e Beratit. Tendera korruptivë dhe pa cilësi, punësime nepotike dhe me pagessi dhe imoralitet pa fund. Sot LSI këtë model na e risjellë si qelibar kandidat për deputet. Si mund të jemi ne më pjesë e kësaj partie dhe të votojmë këto modele që na imponohen nga larte? Si mund t’ja bëjmë ne këtë qytetarëve të Beratit dhe fëmijeve tanë? Ne nuk ja lejojmë më vetes të përdoremi dhe ripërdoremi për interestat e ngushta familjare të askujt.Na ngelet vetëm një gjë për të bërë, të ikim për të mos turpëruar veten tone”, tha Entela Vreko.
Ish-deputeti Gledion Rehovica ka folur menjëherë pas largimit të 112 grave të LSI Berat. Ai ka deklaruar se po vazhdon pastrimi i LSI-së nga “llumi”.
“Ju e patë edhe sot që jemi në kuadrin e vazhdimit të pastrimit të LSI-së nga llumi,pastrim që do të vazhdojë edhe në ditët e javët në vazhdim.”
Ndërkohë, ish-ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, i pyetur në lidhje me deklaratat e fundit të Presidentit Ilir Meta, tha: “Nuk dua të merrem me të kaluarën,dua të merrem me të tashmen dhe me të ardhmen e Shqipërisë. Vetëm sot është fillimi dhe janë 112 gra që përfaqësojnë strukturat e gruas së LSI në bashkinë e Beratit,të cilat në mënyrë vullnetare,të pastra jo “llumi” mbështesin Partinë Socialiste për mandatin e tretë për një Shqipëri Europiane.”




