Subscribe

11 fëmijë të infektuar me variantin Delta janë të shtruar në repartin infektiv të pediatrisë në QSUT. Gjendja e tyre mësohet se është e mesme dhe e avancuar, ndërkohë që shqetësuese për shefen e këtij shërbimi janë simptomat, që në pjesën dërrmuese të rasteve janë te njëjta me ato të virozave të stinës.

 

 

“Viroza e stinës tashmë është Covid-i, shenjat dhe simptomat thuajse janë të njëjta me virozat e stinës, ndaj prindërit duhet të tregohen vigjilentë dhe të kujdesen që në spital mos t’i sjellin më gjyshërit, pasi rrezikojnë dyfish. Janë të shtruar 11 pacientë të vegjël, kryesisht të stadit të mesëm dhe të avancuar”, u shpreh Gjeorgjina Kuli.

 

Nga moshat pediatrike, me problem janë foshnjat të cilat shfaqin më shpesh komplikacione, ndërsa nuk ka munguar gjatë këtyre ditëve as fluksi i pacientëve të prekur nga viruset e ndryshme stinore.

 

 

Mjekja Kuli, anëtare e Komitetit Teknik të Ekspertëve, shpjegon se mes tyre është diskutuar edhe vaksinimi i fëmijëve.

 

“Vaksina është e vetmja armë për t’u mbrojtur. Kjo çështje është shtruar si diskutim, por ende nuk është marrë si vendim, është në shqyrtim.”

 

Që prej fillimit të pandemisë, mbi 200 fëmijë të infektuar kanë patur nevojë për trajtim spitalor, ndërsa është shënuar vetëm një rast vdekjeje në vitin 2020. Ndërsa foshnja të porsalindura që janë infektuar nga nënat ka pasur, por ata janë trajtuar në pavijonet e posaçme në maternitete.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *