100 mjekë të rinj specialistë do t’i shtohen spitaleve publike në vend. Në një aktivitet të organizuar në ambientet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për emërimin e mjekëve të rinj, Ministrja Manastirliu tha se 100 mjekët do të plotësojnë nevojat në specialitete të ndryshme në spitalet rajonale dhe bashkiake.

 

“Pas një proçesi shumë kuptimplotë në raport me standardin që ne kemi vendosur për përzgjedhjen e spitaleve rajonale dhe bashkiake nga mjekët specialistë, të zhvilluar me shumë korrektësi nga komisioni përgjegjës, ju tashmë, 100 mjekë specialistë atashoheni pranë spitaleve tona rajonale. Janë më shumë se 50 mjekë që i atashohen spitaleve të veriut dhe po kaq në spitalet e jugut. Më konkretisht, 10 mjekë të specializuar në qarkun e Dibrës, duke përfshirë edhe spitalin e Bulqizës edhe të Burrelit. Do të jenë 13 mjekë të specializuar për qarkun e Lezhës; 12 mjekë të specialistë në qarkun e Korçës; 11 mjekë specialistë në qarkun e Gjirokastrës; po ashtu mbi 8 mjekë në qarkun e Kukësit, Shkodrës, Vlorës, Beratit, Durrësit dhe Elbasanit”, tha Manastirliu.

 

Duke theksuar se po punohet për një ofertë financiare sa më atraktive për mjekët dhe infermierët, Manastirliu tha se mbështetja e qeverisë shqiptare për stafet mjekësore do të vijojë.

 

“Veç rritjes së pagave për të gjithë personelin, ne morëm edhe një vendim tjetër të rëndësishëm, për t’iu mbështetur ju, mjekët që përfundojnë specializimet, të cilët kryejnë detyrimin me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe ushtrojnë profesionin e tyre aty ku ka nevojë vendi, me një mbështetje financiare për shpenzimet apo kostot e jetesës në qytetet ku ata atashohen, duke u ofruar një mbështetje direkte prej 15 mijë lekë në muaj mbi pagën. Nga kjo mbështetje e qeverisë, do të përfitoni ju, pra 100 mjekë specialistë që atashoheni pranë spitaleve, por gjithashtu do të përfitojnë edhe kolegët tuaj që e kanë filluar specializimin dhe janë duke e vijuar specializimin” tha Manastirliu.

Në fjalën e saj Manastirliu u ndal edhe tek punësimi i mjekëve dhe infermierëve përmes portalit “Mjekë për Shqipërin” dhe “Infermierë për Shqipërinë”.

“Përgjatë viteve që ne kemi zbatuar një mekanizëm transparent dhe meritokratik të portalit “Mjekë për Shqipërinë” dhe “Infermierë për Shqipërinë” janë më shumë se 800 mjekë dhe 3800 infermierë të punësuar në sistemin tonë shëndetësor. As me miq, as me kushërinj, as me parti, as me metoda të tjera që deri para vitesh, njiheshin si metodat e vetme në fakt për t’u punësuar në shtet. Kjo nuk ndodh më. Dhe unë besoj që kjo është një garanci për të gjithë ju, për mjekët dhe infermierët tanë”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë tha se qeveria shqiptare ka investuar dhe po vijon të investojë në infrastrukturë dhe pajisje bio-mjekësore, duke përmirësuar shërbimin në spitalet e vendit.

Është investuar dhe po investohet në 9 spitale në tërësi ndersa 4.2 milionë euro janë vënë në dispozicion për të fuqizuar shërbimin e imazherisë në spitale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *