Revolucioni dixhital në arsim shënoi një hap të rëndësishëm ditën e sotme.

 

Qeveria shqiptare firmosi një marrëvëshje bashkëpunimi me fondacionin shqiptaro-amerikan për Zhvillim, për krijimin e 100 laboratorëve të parë SMART në shkollat 9-vjeçare të vendit.

 

Kryeministri Edi Rama i cili ishte i pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes tha se ky angazhim i rëndësishëm i qeverisë u nxit në mënyrë të posaçme edhe nga nxënësit gjatë takimeve dhe bashkëbisedimeve me ta, të koordinuara nga Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, ku në mënyrë të përsëritur ata theksuan dosmosdoshmërinë e ngritjes në një nivel tjetër të laboratorëve të informatikës.

 

“Jemi këtu sot për të filluar një proces transformues, rrënjësisht transformues që është pjesë e revolucionit tonë digjital që u nxit në mënyrë të posaçme nga nxënësit me të cilët ne patëm një komunikim intensiv të koordinuar nga Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, lidhur me domosdoshmërinë e çuarjes në një nivel tjetër të laboratorëve të Informatikës, laboratorë që faktikisht figurojnë fizikisht në shkolla, por në të vërtetë kryejnë një pjesë shumë të vogël për të mos thënë asgjë të misionit të tyre sepse janë realisht të dalë kohe në kushtet kur sot fëmijët e vegjël janë shumë më të avancuar dhe jashtëzakonisht më të shpejtë sesa shpejtësia e ndryshimit të logjistikës të bërë në gjithë këto vite që kur se kanë filluar të vendosen laboratorët e Informatikës.

 

Atëhere ne u vumë në lëvizje me shpejtësi dhe gjetëm në këtë rrugë edhe njëherë tjetër një partner serioz, të besueshëm, të superkualifikuar dhe një partner të gatshëm për të kontribuar edhe financiarisht së bashku me ne, për ta nisur këtë proces. E fillojmë me 100 laboratoret e para smart që janë laboratorë të gjeneratës më të fundit në 100 shkolla të vendit tonë, ndërkohë ky është vetëm fillimi.

 

Ne do të vazhdojmë më tutje sepse ambicia jonë është që me shpejtësi të shkojmë drejt plotësimit të të gjithë shkollave me laboratorë smart, por sigurisht kjo kërkon financë dhe përveç financës kjo kërkon edhe një njohje të mirë të procesit.

 

Kështu që, me këto 100 shkolla të parat ne do të kemi disa muaj kohë për të parë edhe sesi do të funksionojë procesi për të kuptuar se çfarë duhet të bëjmë më mirë, jo në aspektin e furnizimit të laboratorëve, por në aspektin e mësimdhënies dhe ndërkohë paralelisht me këtë, ne besoj nesër do të lançojmë përsëri me Fondin shqiptaro-amerikan një tjetër program që është programi i të mësuarit të kodimit për nxënësit, të rejat dhe të rinjtë që janë në arsimin parauniversitar.

 

Edhe ky program, është një program që do të fillojë me numra relativisht, them relativisht, jo tërësisht të vegjël, por që ne duam ta kthejmë në një lëvizje rinore në sensin e plotë të fjalës.

 

Të dyja këto punë shkojnë paralelisht edhe me çka po bëjmë edhe me Fondin Shqiptar të Zhvillimit përsëri, për Piramidën, e cila së shpejti do të hapi dyert duke u transformuar në qendrën më të madhe të inovacionit në rajonin tonë dhe duke u bërë streha për të reja dhe të rinj që do të shkojnë më tutje në fushën e teknologjisë, ashtu siç ndodh aktualisht me qendrën Tumo në një nga hapësirat e stadiumit tonë kombëtar “Air Albania” dhe siç do të ndodhë edhe me të tjera pika që ne do të hapim në pjesë të tjera të vendit.”– tha kryeministri Rama.

Leave a Reply

Your email address will not be published.