Policia e Kurbinit shoqëroi 10 persona lidhur me shpërthimin e ndodhur në banesën tre katëshe të familjes Lika në fshatin Sanxhak.

 

Mësohet se ata u morën në pyetje nga hetuesit por dëshmitë e tyre nuk çuan drejt identifikimit të autorëve. Mes të shoqëruarve ishin të afërm të familjes të cilët mohuan që të kenë pasur konflikte.

 

Skënder Lika është një emër i njohur për policinë. Ai është babai i Llej Likës, autorit të vrasjes së biznesmenit Rakip Rolit e njëkohësisht edhe xhaxhai i Ilir Likajt, i arrestuar për vrasjen e dy biznesmenëve, në një hotel, në Mamurras.

 

Skënder Lika u arrestua në vitin 2021, bashkë me djalin 24-vjeçar Llej Lika dhe shokun e tij Klajdi Gjexhaj, për vrasjen e Rakip Rolit. Por i riu mori përsipër autorësinë e krimit, duke pastruar të atin nga akuzat.

 

Llej Lika dëshmoi se e kreu ekzekutimin në shenjë hakmarrjeje, pasi viktima dhe djemtë e tij e kishin rrahur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *