Subscribe

Kalimi klandestin I kufirit nga grupe refugjatësh të Lindjes së Mesme vazhdon të mbetet një dukuri e pandalshme në zonën e Devollit. Të martën, policia kufitare shqiptare në bashkëpunim me FRONTEX kanë kapur një grup tjetër prej 22 refugjatësh që kishin aritur të depërtonin kufirin tokësor të kësaj zone me Greqinë.

 

Burime të besueshme pranë policisë vendore bënë me dije se janë kapur së fundi 22 klandestinë. Pjesa më e madhe e të cilëve kurdë, afganë dhe më pak sirianë. Ata janë dërguar fillimisht në stacionin e policisë kufitare të Kapshticës, ku pas procedurave të para të intervistimit rezultuan shumica familjarë dhe midis tyre 10 fëmijë. Policia ndjek rregullin e rikthimit në Greqi të refugjatëve të vetëm meshkuj, ndërsa familjarët nisen për trajtim në qëndrën e ngritur në Babrru të Tiranës.

 

Burimet pranë operacionit të policisë kufitare dhe forcave të FRONTEX thanë se hyrjet e klandestinëve nga vendet në konflikt janë të përditëshme. Mesatarisht në 24 orë kapen 30 shtetas irakenë, kurdë e sirianë që kalojnë në mënyrë të paligjëshme kufirin nga Greqia për në Shqipëri.

 

Këto statistika I referohen vetëm personave të kapur në zonën e fshatrave shqiptare pranë Greqisë. Nga dyndja e përditëshme e klandestinëve, një pjesë e tyre arijnë të kalojnë përtej kontrollit të policisë kufitare shqiptare dhe FRONTEX duke tentuar udhëtimin në kryeqytet me destinacion përfundimtar  vendet e BE-së.

 

Policia rajonale e Korçës, ka finalizuar në një periudhë dy mujore dy operacione të saj për transport apo trafik të dyshuar të qënieve njerëzore me klandestinë nga vendet e Lindjes të Mesme. Në Pogradec dhe Bilisht janë kapur grupe refugjatësh duke u trasportuar për në Tiranë dhe janë arestuar në flagrancë drejtuesit e mjeteve.

 

Në kushtet e fluksit të vazhdueshëm dhe rrezikut të një trafikimi të këtyre klandestinëve, po shtohen edhe masat e kontrollit. Nga ana e policisë kufitare shqiptare dhe FRONTEX po shtrihen kontrollet thuajse në të gjithë kufirin tokësor, I njohur ndryshe si brezi I gjelbër me Greqinë në zonën e Devollit. Ndërkaq, kontrollet më të imta të udhëtarëve ushtrohen edhe nga policia e qarkullimit rrugor për kapjen e klandestinëve që tentojnë kundrejt pagesave të larta të udhëtojnë drejt Tiranës.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *