Subscribe

Ishte ora 03:54 e mëngjesit të 26 nëntorit të vitit 2019, kur një tërmet me magnitudë 6.4 i shkallës rihter goditi vendin.

Lëkundja sizmike me epiqendër në gjirin e Lalzit zgjati 50 sekonda ndërsa shënoi një nga tragjeditë më të mëdha ne vend. 51 persona humbën jetën dhe mbi 900 të tjerë mbetën të plagosur.

Pallate,shtëpi, shkolla të shembura, makina policie e ushtrie, forca të shumta zjarrfikëse dhe njerëz që kërkonin ndihmë, ishte tabloja e asaj tragjedie.

Orët e para të mëngjesit të asaj dite, ishin kaotike. Shumë qytetarë mbetën të bllokuar nën rrënoja duke luftuar mes jetës e vdekjes. Ndërkohë të tjerë vraponin në kërkim të të afërmve të tyre me të cilët kishin humbur kontaktet. Zonat më të prekura nga tërmeti ishin qarku i Durrësit, Lezhës, dhe Tiranës, aty ku përveç banesave të rrëzuara u shënuan dhe viktimat.

Pasojat më të rënda ishin në Durrës e Thumanë.

Shumë shtete u solidarizuan me Shqipërinë duke dërguar ekipe të kërkim-shpëtimit për nxjerrjen e trupave të mbetur nën rrënoja. Kosova ishte e para që dërgoi trupat e saj, ndërsa ndihma nuk vonoi as nga Italia, Greqia, Turqia, Franca e SHBA.

Mijëra familje mbetën në qiell të hapur, ndërsa u strehuan në çadra dhe hotele, pronarët e të cilave hapën dyert e bizneseve në atë ditë tragjedie. Ndërkohë shumë familje të tjera u strehuan në Kosovë, aty ku shumë kosovarë hapën dyert e shtëpive të tyre.

Referuar situatës së vështirë, qeveria shqiptare dhe Bashkimi Europian organizuan konferencën e Donatorëve. Aty morën pjesë 48 shtete dhe Shqipëria arriti të merrte 1 miliardë e 150 milionë euro për procesin e rindërtimit.

Plani ky më i madh në vend i ndërmarrë në fushën e rindërtimit.

Sot, një vit më pas, 16 persona janë vënë nën akuzë nga Prokuroria e Durrësit për ndërtesat e rrëzuara ku humbën jetën 23 persona. Kurse ajo e Krujës, është në mbyllje të hetimeve ndërsa mësohet se akuzohen 10 zyrtarë të bashkisë.

Por sot kur ka kaluar një vit, plagët ende nuk janë shuar, pasi gjurmët e tërmetit tragjik vazhdojnë të jenë në mendjen e gjithkujt ndonëse shumë prej banorëve janë rikthyer në banesat e tyre apo shumë të tjerë kanë filluar një jetë të re në banesat me qira të cilat po paguhen nga qeveria.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *