Subscribe

Ishte 1 qershori i vitit 1856, kur pastori i një kishe në Amerikë, ia dedikoi meshën fëmijëve dhe gëzimit të tyre. Çdo vit në Amerikë kjo ditë nisi t’u dedikohej atyre.

 

Në Europë, dita e fëmijëve mbërriti si festë, për t’i bërë ata më të lumtur duke dhuruar sa më shumë. Kështu ka ndodhur që në orët e para të ditës edhe në Tiranë. Pedonalja nuk ka pritur asnjëherë më parë kaq shumë fëmijë, që jo vetëm e shijuan festën, por edhe e krijuan atë. Një skenë e improvizuar dhe shumë stenda me produkte nga më të dashurat për fëmijët formonin një panair festiv në pedonalen e kryeqytetit. Dhuratat nuk mungonin. Nuk mungonin mes buzëqeshjeve edhe urimet.

 

Edhe këndi i lojërave te Liqeni Artificial, që sot mbush një vit nga hapja, u shndërrua në një oaz të vërtetë argëtimi. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj iu bashkua festës së fëmijëve, duke uruar që fëmijët të kenë mundësi të luajnë kudo ku më parë janë zhvilluar beteja politike.

 

“Kemi diçka për çdo moshë në Tiranë, por ajo që është më e bukur është që vjet, përpara 1 viti, ne kishim vetëm këtë kënd lodrash. Sot që ka kaluar një vit, ne jo vetëm që bëmë këtë kënd të bukur, por kemi bërë 16 kënde lojërash edhe nëpër lagje, që të sigurohemi që fëmijët kanë kënde të mëdhenj si ky, por kanë edhe disa të tjerë që janë nëpër lagje dhe që mund të luajnë poshtë pallatit. Jam shumë i lumtur sot që së bashku me fëmijët më të mirë të Shqipërisë, që janë padyshim ata të Tiranës, po festojmë në një vend ku para një viti ka pasur shumë beteja, shumë sherre, shumë shamatë, por në fund fare doli një punë e bukur”.

 

Në formë proteste, si ajo që sjellin fëmijët me sinqeritetin e tyre, artistë të vegjël u bashkuan në një ekspozitë me titullin “Kolori i të drejtave tona”. 45 pikturat e formateve të ndryshme që do të qëndrojnë deri në fundjavë në Qendrën Rinore të Tiranës përcillnin më shumë ndërgjegjësim edhe për të rriturit. Festa do të vijojë edhe pasdite tek Pazari i Ri apo edhe tek Lulishtja pas Kryeministrisë, ku nuk do të mungojnë animatorët dhe skena për fëmijët.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *