Subscribe

1.8 miliardë lekë është buxheti që qeveria shqiptare do të japë për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ku shuma më e madhe do të shkojë për shpenzimet për vendoret e 2023-it.

 

Në këtë parashikim të parë, shkruan Vizion PLus, nuk janë përfshirë lekët e kërkuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për të shtuar numrin e pajisjeve elektronike që do të mundësonin votimin dhe numërimin elektronik për një numër më të madh zgjedhësish.

 

Buxheti i kërkuar nga KQZ është rreth 5.2 miliardë lekë, nga të cilat 3.4 miliardë kërkohen të shpenzohen për të mundësuar votimin dhe numërimin elektronik deri në shtatë bashki të vendit.

 

Ato ende nuk janë përcaktuar por synohet që të jenë më të mëdhatë dhe kryesoret duke përfshirë këtu  Tiranën, Elbasanin, Fierin apo Durrësin.

 

Aktualisht, ben te ditur Vizion Plus,  KQZ zotëron 68 pajisje të votimit dhe numërimit elektronik. Ato mbulojnë një zonë zgjedhore jo më shumë se 30 mijë banorë duke patur parasysh, që jo të gjitha shfrytëzohen në ditën e zgjedhjeve. Disa prej tyre qëndrojnë në dispozicion për rastet e papritura të defekteve.

 

Në të dyja rastet e zbatimit të numërimit elektronik, në njësinë 10 në Tiranë  në parlamentaret e 2021-it dhe në bashkinë Vorë, në të pjesshmet vendore të këtij viti, rezultati i zgjedhjeve doli pak orë pas mbylljes së qendrave të votimit dhe në asnjë prej rasteve nuk u regjistruan parregullsi.

 

Nisur nga kjo e dhënë, KQZ kërkon që me shtrirjen  deri në 7 bashkitë kryesore, që përbëjnë numrin më të madh të zgjedhësve, të shmangen vonesat me komisionerët, tjetërsimi i vullnetit politik dhe më e rëndësishmja rezultati të dalë menjëherë, pa pritur për ditë me radhë emrin e fituesit dhe humbësit.

 

Mosmiratimi i buxhetit të kërkuar nga KQZ prej 3.4 miliardë lekësh nuk do të thotë që ai përfundimisht është rrëzuar.

 

Do të mbetet përgjatë diskutimeve për projektbuxhetin e 2023-it nëse qeveria do ta refuzojë apo mund të japë një pjesë të shumës së kërkuar, kjo e kushtëzuar edhe nga efektet që mund të sjellë në buxhet kriza energjetike.

 

Numërimi elektronik, është një nga pikat e rëna dakord mes mazhorancës dhe opozitës në marrëveshjen e 5 qershorit të 2020-ës.

 

Zbatimi i tij duhet të niste gradualisht, shkruan Vizion Plus, fillimisht në jo më shumë se 20 për qind të votuesve me idenë për tu parë në vazhdim nëse është e mundur financiarisht që në të gjithë territorin të votohet dhe numërohet elektronikisht.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *