Subscribe

Pas tërmetit të 26 nëntorit, SHBA dhuroi 800 mijë dollarë për ruajtjen e objekteve kulturore dhe historike në Krujë, Prezë dhe Durrës.

E ftuar në emisionin “7pa5”, ndihmës sekretarja amerikane, Marie Royce konfirmoi përkushtimin e SHBA-ve për ruajtjen e objekteve kulturore dhe historike. Ajo nënvizoi se SHBA ka qenë dhe do të vazhdojë të qëndrojë krah Shqipërisë.

“Në nëntor 2019, e mbaj mend mirë kur ndodhi tërmeti në Shqipëri dhe e kisha në zemër popullin shqiptar. Mora një letër nga qeveria juaj që kërkonte ndihmë për projekte të ruajtjes së trashëgimisë kulturore. Doja të ndaja me ju që morëm një vendim me programin e Fondit të Ambasadorëve për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore për të mbështetur tri vendet më të dëmtuara. Dhe prandaj u zgjodhën tre sitet që përmendët – Kruja, Preza, dhe Durrësi. Po ashtu, dua të them që dje pata mundësi të shikoja Krujën në vend dhe Prezën nga larg me dy arkitektë. Jam shumë e lumtur që SHBA patën mundësi të ofronin afro 1 milionë dollar me grante nga Fondi i Ambasadorëve për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore.”

Në një mesazh drejtuar shqiptarëve, Royce iu bëri thirrje të gjithë atyre që duan të vazhdojnë a t’i rikthehen shkollës, që ta shohin SHBA si një mundësi për të studiuar.

“Do them që thjesht fakti që jam këtu tregon përkushtimin tim. Do shtoj që kemi qenë gjithmonë krah Shqipërisë dhe do të vazhdojmë të jemi. SHBA e kanë shumë për zemër Shqipërinë dhe marrëdhënien mes njerëzve tanë. Ju vetë përmendët që takuat 47 miq, 47 miq të rinj dhe me siguri keni zënë miq edhe në qytetet ku shkuat. Dëshiroj të nxis si pjesë e përgjegjësive të mia në arsim, faktin që në SHBA ka 4700 universitete dhe kolegje komunitare. Ka njerëz që thonë nuk e përballoj dot të shkoj në kolegj në SHBA por ne nxisim atë që quhet 2+2, pra dy vjet në një kolegj komunitar, përmirëso anglishten, kushton më pak dhe pastaj shkon në universitet. Babai im e bëri këtë. Një mikja ime e filloi në kolegj komunitar dhe pastaj mori doktoraturën. Mund t’ju ndihmojmë duke ju dhënë këshilla falas për arsimin në SHBA, po iu them atyre që dëgjojnë apo shohin dhe që mund të mendojnë t’i kthehen shkollës, ta mendojnë SHBA si destinacion për studim. Përgjithësisht, qoftë ajo kulturore, diplomacia sportive, shkëmbimet profesionale, arsimore, kemi një marrëdhënie shumë të fortë. Byroja ku jam thotë se ne lëvizim njerëz për të lëvizur ide dhe mendoj që edhe thjesht kjo bisedë sot është dëshmi e asaj. Idetë që ndajmë bashkë. Praktikisht kemi investuar në të shkuarën tuaj dhe do të vazhdojmë të investojmë në të ardhmen tuaj. Ju faleminderit që më ftuat në program.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *