Përveçse në kohë lufte, masat që po merren tani në vendet perëndimore janë të pashembullta. Urdhrat për izolim të detyrueshëm dhe kufizimet në liritë civile të individit dhe në aktivitetin ekonomik janë një grusht i rëndë mbi përparimin e shënuar gjatë dekadave të fundit kur fusha e veprimit të qeverive është ngushtuar për t’i lënë vend sundimit të lirisë së individit.

Tani qeveritë kanë mobilizuar forcat dhe kanë shpalosur autoritet të pakontrolluar në këtë betejë për jetë a vdekje me një armik të padukshëm.

Popullata mbahet e mbyllur brenda mureve të banesave, autoriteti i policisë është zgjeruar, bizneset janë mbyllur dhe është shtuar aktiviteti përgjues. E gjithë kjo është përcjellë me një rezistencë të heshtur.

Shtrirja dhe rritja e rolit të qeverisë mbi ekonominë, si rezultat i kërcënimit të koronavirusit, është e pakrahasueshme me masat që u morën pas krizës ekonomike të 2008. Britania, Franca dhe vende të tjera evropiane kanë ofruar kredi dhe ndihma me vlerë 15% të prodhimit bruto në vend. Paketa e SHBA për stimulimin ekonomik është rreth 10% e prodhimit të brendshëm bruto.

Paketa stimuluese u cilësua nga këshilltari i Presidentit Trump, Larry Kudlow si “programi më i madh i asistencës në historinë e SHBA”.

Në Francë, qeveria e Presidentit Macron jo vetëm miratoi ligje duke marrë mbi vete të drejtën për të kontrolluar popullatën, por aprovoi autoritetin për të kontrolluar çmimet dhe për të marrë nën kontroll zotërime të caktuara.

Në Shtetet e Bashkuara, Presidenti Trump ka shfrytëzuar Ligjin për Prodhim për Nevoja të Mbrojtjes për të mos lejuar eksportimin e maskave dhe dorezave plastike.

Tani autoriteti shtetëror ka arritur zgjerimin më të madh që nga Lufta II Botërore. Ata që duan tregje të hapura dhe qeveri të kufizuar janë tmerruar nga ky ndryshim i papritur. Të tjerët nuk janë aq të shqetësuar, madje i mirëpresin ndryshimet si një mundësi për të ri-organizuar vendet e tyre.

Kahu prograsiv i së majtës i sheh zhvillimet e fundit si përmbushje e paralajmërimeve të tyre se tregjet e lira nuk përmbushin nevojat e popullatës. Ata shpresojnë se kjo krizë do t’u ofrojë mundësi të orientojnë shoqëritë drejt një modeli jo aq të drejtuar nga forcat e tregut dhe të anuar më tepër drejt instucioneve më sociale.

Në Shtetet e Bashkuara përkrahësit e Bernie Sanders thonë se kriza kishte nxjerrë zbuluar faktin se Shtetet e Bashkuara kishin një sistem shumë të dobët mbrojtjes sociale dhe nevojën për një sistem të unifikuar të kujdesit shëndetësor.

Javën e kaluar, udhëheqësi i Partisë Laburiste në Britani, Jeremy Corbyn, tha se fondet kolosale që qeveria ka miratuar për të mbështetur ekonominë ka dëshmuar vërtetësinë e programit të tij para epidemisë, programi më i majtë i prezantuar ndonjëherë nga Partia Laburiste në kohë moderne.

Edhe në të djathtën e spektrit politik ka shpresa se rezultati politik i kësaj epidemie do të jetë më pranë pikëpamjeve të tyre. Ata duan qeveri shtetërore më të fuqishme dhe më pak të varura tek institucionet e BE-së dhe shpresojnë se kjo do të realizohet pas koronavirusit.

Populistët evropianë kanë kërkuar prej kohësh kontroll më të fortë të kufijve dhe pezullim të udhëtimit të lirë në zonën Shengen. Ata shpresojnë se vendosja e kontrolleve kufitare megjithë kundërshtitë e Brukselit do të rezultojë në shpërbërjen e zonës Shengen. Luca Zaia, guvernator i Rajonit të Venetos, ku epidemia ka goditur rëndë dhe anëtar i Partisë Lega e Matteo Salvinit, tha muajin e kaluar për gazetarët se “Shengeni nuk ekziston më” dhe parashikoi se “tani do të ekzistojë vetëm në librat e historisë”.

Ka politikanë që presin të korrik përfitime nga reagimi ndaj epidemisë.

Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban, përkrahës i asaj që e cilëson si “demokraci liberale” është hedhur në veprim për të forcuar pushtetin. Që nga rizgjedhja e tij në 2010, mbrojtësit e të drejtave civile kanë kritikuar masat e tij që kanë grryer demokracinë dhe institucionet që mbrojnë demokracinë, përfshirë kufizimin e pavarësisë së gjyqësorit, politizimin e kuadrit shtetëror dhe ndërhyrje të autoriteteve tek media dhe shoqëria civile.

Javën e kaluar, parlamenti hungarez që kontrollohet nga partia nacionaliste e zotit Orban, i dha kryeministrit autoritetin të sundojë në bazë të një dekreti për një kohë të pacaktuar, duke mos përfillur insistimin e opozitës për të caktuar një datë për përfundimin e pëqëndrimit të autoritetit në duart e një personi në një vend në zemër të Evropës.

“Situata në Hungari na ofron një shembull të funksionimit të politikës në botë në kohë të krizës së koronavirusit, nëse nuk veprojmë me kujdes,” thotë Umut Korkut, profesor i shkencave politike në Universitetin Caledonian në Glasgou të Skocisë.

Tom Palmer nënpresident i shoqatës jofitimprurëse Atlas Network, e cila punon për tregje të hapura dhe autoritet të kufizuar të qeverive, është i të njëjtit mendim. Shembulli hungarez dhe masat e marra në vende të tjera perëndimore, e bëjnë të alarmohet. “Po na afrohet një dallgë e sundimit të shtetit autoritar,” thotë ai.

Por disa qeveri po përpiqen të mos shkaktojnë panik në popullatë, duke e bërë të qartë se nuk kanë në plan t’i zgjasin këto masa. Të tjerët po shfrytëzojnë rastin. Në shumë raste vende demokratike po u ofrojnë njerëzve argumente përse duhet të pranojnë kufizime në shkëmbim për sigurinë shëndetësore. Ndër shembujt pozitivë janë Koreja e Jugut dhe Izraeli, ku masat e forta reflektojnë një mbështetje të gjerë të popullatës për këtë reagim. Në Britani, një anketë e opinionit publik këtë javë tregon se dy e treta e popullatës mbështet masat policore për të zbatuar kufizimin e lëvizjeve. Kryeministri italian Giuseppe Conte, ka siguruar mbështetje të gjerë publike për masat e kufizimit të lëvizjes.

Shumë analistë e komentatorë thonë se nuk ka arsye për t’u shqetësuar sepse përveç Hungarisë, vendet e tjera perëndimore thjesht kanë marrë masa në përgjigje të një situate emergjente dhe nuk u kanë dhënë udhëheqësve të tyre kontroll të plotë të qeverisjes. Të ndodhur përballë kërcënimit për dhjetëra mijëra të vdekur, qeveritë perëndimore nuk kanë pasur shumë zgjidhje të tjera përveçse të zgjerojnë masat qeveritare. Sapo të jetë vënë nën kontroll situata kritike, gjërat do të kthehen në normalitet, thonë analistët.

Ata besojnë se kjo krizë mund të sjellë edhe përmirësim të demokracisë, duke reduktuar burokracinë dhe për të zhvilluar praktika të reagimit më efikas. Lufta kundër koronavirus ka nxjerrë në pah pengesat burokratike në Perëndim. Kritikët thonë se burokracitë janë bërë tepër të ngurta dhe të ngadalta në reagim dhe rezistente ndaj shpikjeve dhe progresit.

Me përjashtim të Gjermanisë shumë vende perëndimore kanë dështuar në testime dhe kanë reaguar me mefshtësi në mbështetje të sektorit privat. Në Britani dhe ShBA laboratorët privatë dhe të universiteteve u bllokuan për javë të tëra duke mos u lejuar të kryenin testet për virusin. Pakot fillestare të testimit të krijuara nga institucione qeveritare ishin difektoze.

Tani qeveritë perëndimore kanë filluar të tregohen më elastike dhe më krijuese në përgjigje të nevojave për masa dhe pajisje për t’iu kundërvënë krizës, duke eliminuar burokracinë, duke përqafuar shpikjet dhe duke vepruar në emër të mirëqënies së përgjithshme. Ka gjasa që kjo eksperiencë të lërë gjurmë.

Por mbetet e paqartë nëse shteti me autoritet të zgjeruar si rezultat i koronavirusit, do të jetë i gatshëm të dorëzojë disa nga kompetencat shtesë pasi të kalojë kriza. “Disa do të thonë se këto janë masa thjesht të përkohëshme dhe nuk do të lënë gjurmë, ashtu siç ndodhi me Gripin Spanjoll një shekull më parë,” shkruan revista The Economist.

“Megjithatë, përmasat e reagimit e bëjnë COVID-19 më tepër si luftën kundër krizës ekonomike të 1930-s. Kjo tregon se përgjigja ndaj koronavirusit do të lërë gjurmë, duke zgjeruar autoritetin shtetëror dhe duke shtuar taksat për të paguar për institucionet e reja,” shkruan revista.

Situata është më shqetësuese jashtë kufijve të demokracive perëndimore. Udhëheqës autokratë apo diktatorë po e shfrytëzojnë krizën për të forcuar autoritetin. Shumë prej tyre shqetësohen se frika, përhapja e pakontrolluar e virusit dhe mungesat në furnizime mund të rezultojnë në revolta.

Në Azerbaixhan, Ilham Aliyev foli për kërcënimin e koronavirusit kur mori masa të forta për të goditur kundërshtarët e regjimit të tij. Në Kamboxhia, Hun Sen ka arrestuar disidentë e grupe kundërshtare duke i akuzuar se kanë përhapur thashetheme të sajuara për virusin. Ai ka vënë në shenjestër myslimanët si burim për përhapjen e epidemisë.

“Në Tajlandë, Kamboxhia, Venezuelë, Bangladesh dhe Turqi qeveritë kanë ndaluar gazetarë, aktivistë, punonjës të shëndetësisë dhe të gjithë ata që kanë guxuar të kritikojnë qeverinë për përgjigjen ndaj koronavirusit,” thotë Kenneth Roth, drejtor ekzekutiv për organizatën Human Rights Watch.

“Për udhëheqësit me tendenca autoritare, kriza e koronavirusit ofron një pretekst të volitshëm për t’u mbyllur gojën kritikëve dhe për të konsoliduar pushtetin. Censura në Kinë dhe në vende të tjera e ka acaruar edhe më shumë epideminë, duke shndërruar një kërcënim të përballueshëm në një tragjedi globale. Kriza do të vihet nën kontroll, por zgjerimi i rrezikshëm i autoritetit të qeverive autokrate mund të jetë një ndër rezultatet më afatgjata të kësaj krize,” thotë zoti Roth.

Kriza u ka ofruar qeverive në Lindjen e Mesme një periudhë pushimi nga protestat. Demonstratat publike janë ndaluar për të penguar përhapjen e virusit. Por regjimet në këto vende kërcënohen nga mungesat në furnizime jetike dhe nga ritmet e përhapjes së sëmundjes. Në Bejrut, protetuesit nuk përfillën ndalim-qarkullimin duke dalë në rrugë javën e kaluar me thirrjet “Duam bukë, duam të jetojmë”. Në Tripoli protestuesit thërrisnin “Vdekja nga koronavirusi është më e mirë se vdekja nga uria”.

Rënia e çmimeve të naftës ka destabilizuar edhe ekonomi të fuqishme. Me rënien e të ardhurave nga nafta, familja sundimtare e Arabisë Saudite është në rrezik, thonë analistët. Por të paktë janë ata që besojnë se kjo situatë do të sjellë lindjen e një Pranvere të dytë Arabe, por thjesht mund të rezultojë në ardhjen në pushtet të figurave të reja autokrate.

Në komentet që bëri para francezëve muajin e kaluar, Presidenti Macron premtoi “Ditën pasi ta kapërcejmë me sukses këtë krizë, gjërat do të ndryshojnë”. Synimi i fjalimit ishte të siguronte francezët se epidemia do të hapte rrugën për reforma pozitive. Kjo epidemi premton ndryshime edhe në shoqëri të tjera në botë, megjithëse jo të gjitha mund të jenë pozitive./ Burimi: VOA

One thought on “Zhvendosje në kursin e demokracisë në betejën për jetë a vdekje kundër COVID-19

  1. Merrni frymen clirohuni.
    Njerezit ecin perhere e ma me ngut.
    Se per ku : as ata vete s,e dine.
    Drejt vetes ,jashte vetes.
    Kane harruar buzeqeshjet ,miresite
    dhe shpirtin kane tretur!
    Rendin drejt askunit duke qeshur pa qeshur,
    drejt lumturise boheme ,
    vargojsh shpirtrash , te rudhur te vdekur.
    Drejt mireqenjes , komoditetit ,virtualitetit
    duke humbur vetveten !
    Rendin drejt mitit,heroit,liderit,pompozitetit,
    duke vrare te thjeshten, te zakonshmen te ngohten hyjnore
    qe u pershperit embel ne vesh :
    mos me kerkoni larg , mbyllni syte,
    brenda vetes shikoni :
    Ja ku jam!
    E ne kete peshtjellimin per kapjen e qellimit .
    Ne mishmash idesh konceptesh qe mpijne.
    Nen tingujt e zhurshem ,te metalte qe therin
    Ne zderhallje egosh varferi shpirti ,
    Therras me sa fuqi kam:
    -O njerez ku shkoni,kthehuni, pushoni pak;
    Keni harru Zotin!
    Merrni frymen qe munguar ju ka:
    JEZUSIN E KRISHTIT !

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *