Nga 1 qershori, në Shqipëri nuk do të ekzistojnë më ndarjet zonë e kuqe dhe zonë e gjelbër për qytetet e prekura ose jo nga koronavirusi. Lajmin e dha kryeministri Edi Rama në “Facebook”

“Në 1 qershor do të hapim kopshtet dhe çerdhet, kufijtë tokësorë të vendit, qarkullimin e makinave në të gjithë vendin dhe plazhet do të jenë të hapur. Por nuk do të lejojmë asnjë subjekt privat përveç hoteleve të vendosë çadra e shellzonë pa autorizimin përkatës që do të dalë këto ditë. Kjo do të jetë java e fundit me zona me ngjyra dhe e ndalim-kalimit.”

Duke falenderuar mjekët, infermierët dhe qytetarët për gjithçka u bë gjatë kësaj periudhe karantine, Rama nuk la pa thënë dy fjalë për protestat e artistëve dhe aktivistëve për Teatrin Kombëtar. Sipas tij, çdo gjë po bëhet në funksion të një partie të re që po krijohet.

“Numrat në Tiranë nuk po flasin mirë. Shfaqjet politike me turma pa asnjë lloj mase por përkundrazi me karshillëk që flet për papërgjegjshmëri, dhe në rastin më të keq për dritëshkurtësi po vijojnë edhe përtej të 3-tave të karakatinës së Teatrit. Sa për të mbledhur firma për pseudoaktorët e Teatrit që janë në funksion të një partie të re, si dhe për bizneset që me demek nuk kanë marrë asnjë kacidhe, po luhet me shëndetin e popullit. Bëni kujdes, kujdes, se nuk ju vjen asgjë e keqe nga meraku. Pasojat e asaj që hoqëm do i kalojmë por edhe me shtrëngesat që kemi, por me shëndetin e familjeve nuk luhet. Shani e shfryni sa të doni, por rrezikun e infeksionin mos e përqeshni.”

Megjithatë, kreu i qeverisë u shpreh se nuk është e pamundur që të rikthehen kufizimet, nëse situata përkeqësohet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *