Pritjes i erdhi fundi. Të gjithë ata individë që kanë në pronësi, një pasuri të paluajtshme, tokë ose ndërtesë të regjistruar mund të bëjë procesin e rivlerësimit me 5% nga 15% që ishte në të kaluarën deri në fund të këtij viti.
Ndryshe nga sa pritej rivlerësimi do të bëhet me referencat e vjetra që janë aktualisht në fuqi.
“Në rast se individi zgjedh që rivlerësimin e pasurisë ta bëjë ASHK-ja, ai bëhet me çmimet minimale fiskale, që janë në fuqi në momentin e kryerjes së procesit të rivlerësimit dhe në përputhje me përcaktimet e udhëzimit të përbashkët nr. 34, datë 29.12.2023, “Për tatimin e kalimit të së drejtës së pronësisë së pasurisë së paluajtshme”. Në këtë rast, baza e tatueshme, llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së dalë nga rivlerësimi (sipas çmimeve minimale fiskale në fuqi) dhe vlerës së zbritshme të përcaktuar në pikën 3 të këtij kreu”, thuhet në vendimin e Ministrisë së Financave.
Ndërsa kur rivlerësimi bëhet me vlerësues të pasurive të palujtshme, vlera e pronës mund të dalë edhe më e lartë.
“Në rast se individi zgjedh rivlerësimin e pasurisë nga një ekspert i licencuar, baza e tatueshme, llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së pasqyruar në aktin e vlerësimit të pasurisë dhe vlerës së zbritshme. Në çdo rast, vlera e pasqyruar në aktin e vlerësimit të pasurisë nga eksperti i licencuar nuk mund të jetë më e vogël se çmimi minimal fiskal”.
Për herë të parë në këtë process do të njihet dhe amortizmi me 1% për çdo vit vjetërsie të pronës.
“Në rastin e ndërtesave, çmimeve të referencës do t’i zbritet 1% e vlerës për çdo vit të plotë shtesë përdorimi, duke filluar nga data e fitimit të titullit të pronësisë për herë të parë. Zbritja prej 1% do të aplikohet për të gjitha llojet e pasurive të paluajtshme ndërtesa. Kjo zbritje nuk duhet të jetë më e madhe se 30% e çmimit të referencës të përcaktuar në VKM-në 2 në zbatim të neneve 21, pika 2, 22, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar”.
Aplikimi për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme do të bëhet online në e-Albania, ku përveçse aplikon për kryerjen e këtij procesi, gjithashtu kërkon të pajiste me kopje të kartelës së pasurisë së paluajtshme./vizionplus.tv





