Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka falënderuar liderët e Perëndimit për dërgimin e tankeve – për të ndihmuar në luftën kundër Rusisë – mirëpo ka thënë se ato duhet të dorëzohen sa më shpejt.

 

Në adresimin e tij të përditshëm, Zelensky i ka kërkuar Perëndimit edhe raketa me rreze të gjatë veprimi, si dhe aeroplanë luftarakë.

 

Komentet e tij kanë ardhur pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania kanë bërë të ditur se do të dërgojnë tanket Abrams, përkatësisht Leopard, në Ukrainë.

 

Rusia i ka konsideruar këto vendime si “provokime flagrante” dhe ka thënë se tanket do të shkatërrohen.

 

Tanket do të “shkatërrohen sikurse të gjitha të tjerat”, është shprehur Dmitry Peskov, zëdhënës i presidentit rus, Vladimir Putin. “Ato vetëm se janë shumë të shtrenjta”, ka thënë ai.

 

Zelensky ka thënë se i ka treguar shefit të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), Jens Stoltenberg, se “përparimi duhet të arrihet në aspekte tjera të bashkëpunimit tonë në mbrojtje” – duke kërkuar kështu raketa me rreze të gjatë veprimi dhe artileri.

 

Ai nuk ka kërkuar vetëm dërgim të shpejtë të tankeve perëndimore, por edhe numër të madh të tyre.

 

“Ne duhet të formojmë një forcë tankesh, një forcë të tillë që pasi të godasë, tirania të mos mund të ngrihet më kurrë në këmbë”, ka thënë presidenti ukrainas.

 

Ndonëse Zelensky tani ka mundësi që do të fokusohet në pajisje të forcës ajrore ukrainase me aeroplanë luftarakë më të avancuar – pas sigurimit të tankeve – shumë qeveri perëndimore kundërshtojnë diçka të tillë, pasi shqetësohen se aeroplanët luftarakë mund të përdoren për sulme brenda Rusisë.

 

Në fjalimin e së mërkurës në Bundestag, kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka insistuar që nuk do të dërgohen aeroplanë luftarakë gjermanë në Ukrainë.

 

Të njëjtën ditë, presidenti amerikan, Joe Biden, ka bërë të ditur se Shtetet e Bashkuara do t’i dërgojnë Ukrainës 31 tanke M1 Abrams.

 

Vendimi i SHBA-së është bërë i ditur disa orë pasi Gjermania ka thënë se do të dërgojë 14 tanke Leopard 2 në Ukrainë.

 

Berlini po ashtu u ka hapur rrugën shteteve tjera evropiane që dëshirojnë të dërgojnë tanket gjermane Leopard 2 për ushtrinë ukrainase.

 

Ukraina ka lobuar te aleatët perëndimorë për këto pajisje që disa muaj.

 

Ajo i ka përshëndetur vendimet e SHBA-së dhe të Gjermanisë, duke e konsideruar këtë moment si pikë kthese, që do t’i mundësojë ushtrisë së saj kthimin e kontrollit të territoreve të pushtuara, pas gati një viti prej nisjes së luftës.

 

Ukraina, po ashtu, ka thënë se këto tanke do t’i ndihmojnë që të përballet me ndonjë ofensivë potenciale të Rusisë në pranverë.

 

Teksa e ka bërë të ditur vendimin për tanket, presidenti amerikan, Biden, ka thënë se Putin ka pritur që Evropa dhe SHBA-ja të zvogëlojnë ndihmën për Ukrainën.

 

“Ai ka gabuar prej fillimit dhe vazhdon të gabojë”, është shprehur Biden.

 

“Ne jemi duke i dhënë Ukrainës pjesët dhe pajisjet e nevojshme për t’i mbajtur këto tanke efektive në fushëbetejë”, ka thënë ai.

 

“Kjo është për t’i ndihmuar Ukrainës që të mbrojë tokën ukrainase. Nuk është kërcënim për ofensivë ndaj Rusisë”, ka deklaruar presidenti amerikan.

 

Një batalion i tankeve ukrainase zakonisht përbëhet nga 31 tanke, prandaj SHBA-ja është pajtuar për të ndarë aq tanke, ka thënë Biden.

 

Megjithatë, vendimi amerikan përbën ndryshim të qëndrimit të administratës Biden, e cila ka thënë në disa raste se tanket M1 Abrams janë shumë të kushtueshme për t’u mirëmbajtur dhe sfiduese për trupat ukrainase.

 

Kjo pajisje ushtarake amerikane është ndër tanket më moderne në botë dhe kërkon trajnime të vazhdueshme për operim.

 

Në pakon amerikane prej 400 milionë dollarëve përfshihen tetë pajisje që ndihmojnë në rast të bllokimit të tankeve, si dhe municion e fonde për trajnim dhe mirëmbajtje.

 

Por, ka mundësi që do të duhen muaj për dërgimin e tankeve në fushëbetejë.

 

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për Siguri Kombëtare, John Kirby, ka thënë se në inventarin amerikan nuk ka tanke të tepërta Abrams.

 

Prandaj, ai ka thënë se ato do të duhen të blihen nga kontraktorë privatë, apo nga shtetet tjera.

 

Ndërkaq, tanket gjermane, Leopard 2, do të merren nga inventarët ekzistues dhe pritet të dërgohen në Ukrainë përgjatë dy apo tre muajve të ardhshëm.

 

Ato konsiderohen si disa prej tankeve më efektive në fushëbetejë.

 

Zyrtarët në Berlin kanë thënë se ekipet ukrainase do të trajtohen shpejt për përdorim të tankeve Leopard.

 

Zelensky ka thënë se shtetit të tij do t’i duhen të paktën 300 tanke Leopard për të mposhtur Rusinë.

 

Shumë shtete evropiane kanë tanke Leopard 2 në inventarët e tyre, dhe vendimi gjerman nënkupton se disa shtete mund të bëjnë dërgesa në Ukrainë.

 

Gjermania shpreson se rreth 90 tanke të tilla do të dërgohen në fushëbetejë.

 

Polonia dëshiron të eksportojë 14 tanke Leopard 2, ndërsa Norvegjia ende nuk e ka bërë të ditur numrin e saktë.

 

Mbretëria e Bashkuar ka qenë vendi i parë anëtar i NATO-s që është zotuar për dërgim të tankeve moderne në Ukrainë.

 

Kryeministri britanik, Rishi Sunak, ka thënë se do dërgojë në Ukrainë 14 tanke Challenger 2 – modelin më modern të tankeve në ushtrinë britanike./rel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *