Një tjetër tumë është zbuluar gjatë gërmimeve pranë varrezës tumulare në Himarë.
Krahas varreve që përmbante kjo tumë, ekspertët gjetën edhe disa objekte arkeologjike që i përkasin periudhës së hekurit të hershëm të shekullit të XI-X para erës sonë. Ato paraqesin një element tepër të veçantë të arkitekturës së ndërtimit të kodërvarreve.
ORGES FEIMI
DREJTUES I TRASHEGIMISE KULTURORE, VLORE
“Në fushatën e gërmimeve arkeologjikë që u zhvillua përgjatë gjithë muajit Tetor të këtij viti, u zbulua dhe dokumentua tuma e tretë. Ajo paraqet elemente unikale të arkitekturës së ndërtimit të kodërvarreve, në raport me kodërvarret e tjera të njohura dhe studiuara deri më tani në vendin tonë. Krahas varreve që përmbante kjo tumë u gjetën edhe disa objekte arkeologjike, ku ndër objektet më të ruajtura veçohet një enë balte dhe një majë heshte e periudhës së Hekurit të Hershëm (Shek. XI-X p.Kr).”
Tuma ndodhet në shtratin e përroit të Korramit, e për këtë arsye specialistët po punojnë për konservimin dhe rimbulimin e strukturave dhe varreve, me qëllim shmangien e dëmtimeve të mundshme nga prurjet gjatë muajve të dimrit.
ORGES FEIMI
DREJTUES I TRASHEGIMISE KULTURORE, VLORE
“Tumat prehistorike të Himarës konsiderohen si monumentet më befasuese të periudhës së Bronzit dhe Hekurit në Bregdetin Jonian. Kultura e dokumentuar në varret e tumave të Himarës është e njëjtë me atë të pjesës tjetër të Ilirisë. sigurisht janë mjaftë të rëndësishme qofshin për hartën arkeologjike të Shqipërisë qoftë edhe për treguesit e asaj zone ku së pari po flasim për një banim 3500 vjeçar por do merren dhe si reference studimesh.”
Gërmimet në këtë zonë kanë nisur që prej vitit 2018 dhe kjo është tuma e tretë e zbuluar brenda kësaj kohe. Po ashtu zona do të vijojë të jetë pjesë e studimit edhe në vijim për të mundësuar të tjera zbulime arkeologjike.