Një ekip hetuesish kanë demaskuar një spiune të fshehtë nga agjencia e inteligjencës ushtarake ruse, GRU, e cila ka arritur të infiltrohet mes personelit të bazës së NATO-s në Napoli dhe në flotën e VI te marinës amerikane në Europë.

 

Mediat ndërkombëtare raportojnë se për një dekadë ajo është maskuar si stiliste bizhuterish të Amerikës Latine.

 

Bëhet fjalë për shtetasen Maria Adela Kuhfeldt Rivera. Ajo prezantohej para njerëzve si fëmija i një babai gjerman dhe nëne peruane, e lindur në qytetin e Callao të Perusë.

 

Në fakt, ajo ishte një oficere karriere e GRU e Rusisë, emri i vërtetë i së cilës thuhet të jetë Olga Kolobova dhe është vajza e një zyrtari rus. Identiteti i saj u zbulua nga një investigim i “Bellingcat”, në partneritet me një numër mediash, duke përfshirë “La Repubblica” në Itali dhe “Der Spiegel” në Gjermani.

 

Duke u paraqitur si Rivera, agjentja ruse jetonte mes Romës, Maltës dhe Parisit dhe prej vitit 2013 në Napoli, në shtëpinë e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s. Ajo krijoi një butik bizhuterish të quajtur “Serein” dhe bënte një jetë aktive shoqërore.

 

Një punonjës i NATO-s u tha hetuesve se ai kishte pasur një lidhje të shkurtër romantike me agjenten ruse.

 

“Bellingcat” ka zbuluar identitetin e saj nga udhëtimet me disa pasaporta ruse me numra serial, të përdorur nga agjentë të njohur rusë.

 

Mendohet se Rivera është kthyer në Rusi nga shefat e saj, të cilët kishin frikë se mund të rrezikoheshin agjentë të tjerë me numra të ngjashëm pasaportash.

 

Dy muaj pas largimit të saj të papritur nga Napoli, agjentja postoi një status në rrjetet sociale në italisht, me sa duket si një mënyrë për të shpjeguar zhdukjen dhe heshtjen e saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *