Presidenti Donald Trump urdhëroi publikimin e mijëra dokumenteve qeveritare të klasifikuara në lidhje me vrasjen e Presidentit John F. Kennedy në vitin 1963, e cila ka nxitur teori konspirative për dekada me radhë.
Ky urdhër ekzekutiv që Trump nënshkroi synon gjithashtu të deklasifikojë dokumentet e mbetura federale në lidhje me vrasjen e senatorit Robert F. Kennedy dhe udhëheqësit të të drejtave civile Martin Luther King Jr.
“ Ky është nja hap i madh apo jo? Shumë njerëz e kanë pritur këtë për një kohë të gjatë , për vite, për dekada. Dhe gjithçka do të zbulohet. Në rregull?”, Presidenti i SHBA-ve.
Sipas këtij urdhri drejtori i inteligjencës kombëtare dhe prokurori i përgjithshëm duhet të hartojnë një plan brenda 15 ditëve për të nxjerrë të dhënat e mbetura mbi vrasjen e Presidentit John F. Kennedy dhe brenda 45 ditëve për dy rastet e tjera. Por ende nuk është e qartë se kur do të bëhen publike dokumentet sekrete.
Sakaq kreu i Shtëpisë së Bardhë nënshkroi faljen për 23 protestues kundër abortit.
“ Ata nuk duhej të ndiqeshin penalisht. Shumë prej tyre janë të moshuar. Është nder i madh për ta nënshkruar këtë urdhër.”
Trump përsëriti kërkesat që anëtarët e tjerë të aleancës transatlantike të shpenzojnë 5% të prodhimit të tyre të brendshëm bruto në mbrojtje , një rritje e madhe nga objektivi aktual prej 2% .
“Ne po i mbrojmë ata, por ata nuk po na mbrojnë ne. Nuk jam i sigurt nëse do të duhet të shpenzojmë për ta, por sigurisht që do ti ndihmojmë. Ata duhet të rrisin shpenzimet nga 2% në 5%.”
Ndërsa u pyet nëse kishte ndonjë koment në lidhje me bllokimin përkohësisht të urdhrit të tij për mohimin e nënshtetësisë së atyre që lindin në SHBA , Trump u përgjigj:
“Jo, padyshim në do ta apelojmë atë. Nuk ka surpriza me atë gjyqtar”. Ky ishte reagimi i parë për rastin e ngritur nga shtetet Arizona, Illinois, Oregon dhe Uashington për pezullimin e zbatimit të urdhrit ekzekutiv.”