Tre ditë para se të votohet në parlament reforma zgjedhore, ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim ka përsëritur apelin për gjithëpërfshirje.

 

Nga Himara diplomatja amerikane u ka kujtuar sërish të gjithë aktorëve politik se duhet të respektojnë marrëveshjen e 5 qershorit, e cila u firmos pas negociatave  në selinë e ambasadës së Shteteve të Bashkuara.

 

YURI KIM

AMBASADORE E SHBA

“5 qershori është arritur në një mënyrë që ishte gjithëpërfshirës dhe transparent. Dhe çdo parti, çdo palë që ka nënshkruar atë letër duhet t’i qëndrojnë fjalës së tyre sepse është çështje nderi. Firma ime nuk ndodhet mbi atë letër. Ata që kanë nënshkruar atë letër janë personat përgjegjës për të zbatuar 5 qershorin. Kështu që pritja ime është që 5 qershori do të nderohet. Nëse palët do të bien dakord për masa të tjera përtej 5 qershorit ne do ta mbështesim. Prandaj le të shohim çfarë do të ndodhë. “

 

Ndërkaq ambasadorja Yuri Kim ka vlerësuar vendimin e Partisë Demokratike për të propozuar një draft konkret për reformën.

 

“Jam shumë e kënaqur për faktin që opozita jashtë parlamentit ka marrë përgjegjësitë e saj, për të qenë e angazhuar për të vazhduar për të përfaqësuar popullin. Dhe sikurse e theksova para disa ditësh është tejet e rëndësishme qe opozita të vazhdojë të mbetet e angazhuar dhe gjithashtu që të gjitha palët, të gjitha partitë të mund të sjellin propozime që janë reale dhe gjithashtu kundërpropozime. Kam kuptuar që sot opozita ka bërë një propozim dhe gjithashtu jam e kënaqur që kam dëgjuar gjithashtu që partia socialiste ka thënë që do e marri këtë kundërpropozim dhe do të ketë një debat për ta përfshirë.  Ky standard sjelljeje i transparencës dhe përfshirjes është saktësisht ajo gjë duam të presim nga një vend që është anëtar i NATO-s dhe kandidat për në bashkimin europian. Dhe gjithashtu nga një vend që kryeson OSBE. Janë standard të larta por ju i meritoni ato.”

 

Debati mes mazhorancës dhe opozitës në këshillin politik është fokusuar tek modeli i koalicioneve.

 

Për Partinë Demokratike aleancat me listë të përberë nuk mund të preken, pasi janë pjesë e kodit të miratuar në 23 korrik dhe pjese e marrëveshjes së 5 qershorit; por nga ana tjetër socialistët këmbëngulin se e kanë respektuar marrëveshjen e arritur me ndihmën e ndërkombëtarëve dhe ndryshimi i modelit të koalicioneve është rrjedhojë e kushtetueses së re të miratuar në 30 korrik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *