Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka kërkoi nga qytetarët që të mos dynden në pikat kufitare të Kakavijës dhe Kapshticës, pa ditur më parë rregullat.
Ajo theksoi edhe një herë në rrjetet sociale se nga Kapshtica do të lejohen të kalojnë vetëm 300 persona në ditë. Ndërsa nga Kakavija do të mund të kalojnë 750 qytetarë.
“Njohja e informacionit të duhur për lëvizjet në pikat hyrëse e dalëse me Greqinë është thelbësore për të gjithë qytetarët që po kalojnë orë pritje në pikat kufitare. Agjencia Kombëtare për Mbrojtjen Civile, përmes efektivëve të FA po informon në vazhdimësi secilin qytetar në Kakavijë e Kapshticë se:
🟢Nga data 16.08.2020 ora 06:00 deri në orën 22:00, nëpërmjet Kakavijës do lejohen të hyjnë në Greqi vetëm 750 shtetas çdo ditë, ndërsa nga Kapshtica vetëm 300 shtetas çdo ditë.
🟢Gjithashtu duhet edhe të kenë rezultuar negativë ndaj COVID-19.
🟢Qytetarët do të njoftohen në të gjitha format për masat e reja, edhe në terren aty ku janë në radhë.
I bëjmë sërish thirrje të gjithë bashkëatdhetarëve, që të ndërgjegjësohen për respektimin e informacionit të mësipërm.”
Drama e shqiptarëve në Kakavijë e Kapshticë vijon. Në mes të të nxehtit dhe duke pritur në radhë kilometrike, ata kërkojnë të futen në Greqi.