Nuk ndalen protestat e dhunshme në SHBA. Qindra mijëra njerëz kanë protestuar për të 4-tën ditë radhazi në të paktën 20 qytete pas vrasjes së afrikano-amerikanit Xhorxh Flloid nga një oficer policie në qytetin Minneapolis në Minesota.

                                                            

Përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe policisë u regjistruan mbrëmjen e së premtes në Nju Jork, Los Angeles, Atlanta, Chicago e Houston. Dhjetëra demonstrues janë arrestuar e të tjerë kanë mbetur të plagosur mes përleshjeve të dhunshme.

Në Detroit një 19 vjeçar mbeti i vrarë pas të shtënave me armë. Policia njoftoi se ende nuk ka identifikuar aurorin dhe se hetimet për zbardhjen e ngjarjes po vazhdojnë.

Në Uashington Shtëpia e Bardhë përforcoi sigurinë  pasi disa demonstrues u përpoqën të kalojë pengesat e sigurisë.

Në Atlanta protestuesit kanë dëmtuar Qendrën e CNN. Disa demonstrues i vunë flakën makinave të policisë. Edhe një restorant është shkatërruar pasi protestuesit thyen xhamat dhe u futën brenda ndërtesës.  Kryetari i Atlantës dënoi dhunën dhe tha se kjo situatë nuk është një në frymën e Martin Luther King.

Por protestuesit thërrisnin “Xhorxh tha që nuk mund të marr frymë”, “Drejtësi për Xhorxh”, ndërsa kanë hedhur bombola gazi ndaj policisë.

Situata më e rëndë paraqite në Minesota. Guvernatori tha në një konferencë për median se situata mbetet “tmerrësisht e rrezikshme” dhe se ky është zemërimi më i madh civil në historinë e këtij shteti.

Protestat e dhunshme në SHBA vijnë pas vrasjes së afrikano-amerikanit Xhorxh Flloid nga Derek Chauvin. Ky i fundit është arrestuar dhe akuzohet për vrasje të shkallës së tretë. Protestuesit kërkojnë edhe arrestimin e 3 oficerëve të tjerë që ishin të pranishëm. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *