Subscribe

Një ditë pas atentatit ku mbeti i vrarë Saimir Beqiri, policia e Elbasanit ka marrë në pyetje anëtarë të familjes Çapja, kjo për shkak të konfliktit të hershëm mes dy fiseve. Burime pranë uniformave blu thanë se edhe pse është mohuar kategorikisht përfshirja në ekzekutimin e Beqirit, policia pritet të marrë në pyetje të gjithë personat të cilët i mbijetuan atentatit të shkurtit në lokalin në pronësi të Agron Çapjas, i cili mbeti i vrarë sëbashku me dy persona të tjerë. Prej kohësh policia kishte vënë nën vëzhgim pjesëtarë të familjes Çapja të dyshuar për disa atentate ndaj familjes Beqiri, por ende nuk ka të dhëna të cilat mund të hedhin dritë mbi vrasjen e Saimir Beqirit. 51-vjeçari, baba i tre fëmijëve, u ndoq dhe më pas ekzekutua me silenciator në afërsi të biznesit të tij në segmentin Elbasan Metalurgji. Hetuesit, nuk kanë asgjë mbi atentatorët të cilët dyshohet se kishin ruajtur prej disa ditësh Beqirin. Të maskuar me paruke të dyshuarit si vrasës me pagesë, e ndoqën 51-vjeçarin, i cili në tenativë për t’u larguar u qëllua 6 herë, shenjë hakmarrjeje sipas hetuesve. Ndërkohë mëngjesin e së martës, policia arrestoi për moskallëzim krimi rojen e karburantit, që ndodhet pranë vendngjarjes. Sipas policisë, Shkëlqim Salla 42 vjeç u arrestua pasi dyshohet të ketë parë të gjithë ngjarjen dhe të mos ketë treguar ne polici. Edhe pse ai është marrë në pyetje, mësohet se nuk ka ndihmuar me identifikimin e atentatorëve për shkak të maskimit. Për hetuesit, motiv i krimit është hakmarrja pasi edhe vëllai i Saimirit, Gentian Beqiri u ekzekutua pak vite më parë teksa ndodhej ne arrest shtëpie.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *