Policia turke po zhvillon kërkime në një zonë pyjore jashtë Stambollit për të gjetur trupin e gazetarit të zhdukur saudit, Xhamal Kashoxhi.
Sipas mediave turke hetuesit kanë mbledhur imazhe të kamerave të sigurisë pranë pyllit.
Khashoggi, 60 vjeç, u zhduk pasi hyri në konsullatën saudite në Stamboll dy javë më parë ndërsa dyshohet se është torturuar dhe vrarë në ndërtesë.
Gazeta turke Sabah identifikoi zyrtarin e sigurimit saudit Maher Abdulaziz Mutreb si kreun e një “ekipi vrasësish” prej 15 anëtarësh që shkoi në Stamboll për të kryer ekzekutimin e Khashoggit.
Sekretari i Shtetit Mike Pompeo, pas takimit me udhëheqësit në Arabinë Saudite dhe në Turqi i kërkoi presidentit Trump t’i japë Arabisë Saudite edhe disa ditë të tjera kohë për të përfunduar hetimin rreth zhdukjes së gazetarit, duke theksuar gjithashtu se SHBA dhe Arabia Saudite kanë një aleancë strategjike prej shumë dekadash.
Më herët presidenti amerikan Donald Trump është shprehur se kërkon të ketë në dispozicion informacione audio dhe video nga Turqia, nëse ekzistojnë.
Gazetari i zhdukur saudit Jamal Khashoggi duket se ka vdekur, tha presidenti Trump për gazetarët, duke shtuar se do të ketë pasoja të rënda për këdo që qëndron pas këtij krimi.
Donald Trump: “Është shumë e trishtueshme. Pasojat e mundshme për Arabinë Saudite do të duhet të jenë shumë të rënda. Kjo është një gjë e keqe, por do të shohim se çfarë do të ndodhë. Nëse nuk ndodh ndonjë mrekulli e të gjitha mrekullive, do të pranoj se ai është i vdekur”.
Presidenti amerikan shtoi se pas marrjes së rezultateve të hetimit, qeveria e SHBA do të bëjë një deklaratë të fortë.





