Subscribe

Konfliktet e të birit është pista ku janë përqendruar hetimet e policisë për atentatin e ndodhur në Laç, ku u ekzekutua me armë zjarri ish-efektivi i policisë, Xhelal Reçi.

 

Burime pranë grupit hetimor thanë për vizion plus se 15 persona të dyshuar u shoqëruan në polici.

 

Pas dëshmisë së dhënë ata u lanë të lirë, ndërsa u pyetën dhe familjarë e të afërm të viktimës.

 

Edhe pse vrasja u filmua nga kamerat e sigurisë, identifikimi i autorëve mbetet i vështirë. Kjo pasi ekzekutorët, sipas burimeve, mbanin kapele dhe maska anticovid.

 

Nga ana tjetër edhe në mjetin e djegur që u gjet në Milot, nuk u zbulua asnjë provë që mund të çojë në zbardhjen e ngjarjes.

 

Vrasësit mendohet se e kanë mbajtur nën vëzhgim 61-vjeçarin para se ta ekzekutonin. Ata kanë pasur dijeni mbi lëvizjet e tij, ndërsa krimi dyshohet të ketë qenë një goditje për djalin e viktimës, Besnik Reçin, i cili prej kohësh qëndron i fshehur.

 

Djali ish-efektivit njihet si person problematik dhe ka krijuar shumë konflikte.

 

Një vit më parë, Besnik Reçi i shpëtoi një atentati në rrugën Lezhë-Shëngjin. 61-vjeçari, Xhelal Reçi u qëllua dy herë me pistoletë në afërsi të bizneseve të tij në qendër të qytetit.

 

Ai u ekzekutua nga të paktën dy persona, të cilët u larguan me shpejtësi nga vendngjarja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *