Subscribe

Përveç vullnetit politik, kryeministri Edi Rama nuk mund të japë asnjë garanci nëse emigrantët do të kenë të drejtën e votës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Në takimin virtual me Këshillin Koordinues të Diasporës, kreu i qeverisë tha se ngërçi mbetet te mekanizmi, i cili duhet të gjejë dakordësinë e tre faktorëve politik të përfshirë në reformën zgjedhore, mazhoranca dhe dy opozitat: ajo brenda dhe jashtë parlamentit.

Kur ende “zgjedhorja” është në proces diskutimi, përfaqësuesi i socialistëve, Damian Gjiknuri,  theksoi se votimi i emigrantëve është një proces i komplikuar, që nis me regjistrimin e tyre dhe deri në modelin që do të ndiqet për leximin e vullnetit politik të diasporës.

Të gatshëm për të dhënë kontributin e tyre, nga Këshilli Politik, përfaqësuesit e Këshillit Koordinues të Diasporës kërkojnë që të njihen me draftin e kodit të ri elektoral.

Me premtimin se brenda pak ditësh do të marrin një përgjigje të fundit, nëse në zgjedhjet parlamentare të 2021 do të mund të votojnë, më optimisti në radhët e qeverisë ishte Ministri i Diasporës, Pandeli Majko.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *