Familjet e prekura nga tërmeti tashmë kanë një afat konkret në lidhje me planin e rindertimit.

 

Ndërkohë Ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj në një konferencë për mediat theksoi se të gjithë bashkitë  e zonave të prekura nga tërmeti kanë vetëm 20 ditë afat për të identifikuar të gjitha tokat shtetërore ku do të nisë rindërtimi.

 

Për të dhënë më shumë detaje në lidhje me këtë plan rindërtimi për familjet e prekura nga tërmeti në edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus ka qenë zëvendës ministrja e Brendshme Rovena Voda.

 

Duke ju referuar dhe vendimeve të fundit në mbledhjen e qeverisë kemi afate konkrete ku brenda 20 ditësh bashkitë duhet të hartojnë listat dhe pas 30 ditësh duhet të kenë gati dhe masterplanet për lagjet e reja. Sa janë gati bashkitë që të kenë gati listat e të prekurve brenda një afati të tillë kohor?

 

Pavarësisht se vendimet e qeverisë vunë afata te shkurtra për bashkitë e prekura nga tërmeti unë dëshiroj tju bëj me dije se kjo është një punë që ka nisur kohë më parë. Është bërë një punë përgatitore e cila i paraprin edhe zbatimit apo implementimit të këtyre vendimeve të qeverisë, e them këtë sepse fokusi ynë ka qenë numri i lartë i konstatimit dhe verifikimeve në terren për të konstatuar të gjitha banesat e dëmtuara tërësisht nga tërmeti i 26 nëntorit, sipas shkallës së dëmtimit. Fokusi për rindërtimin lidhet me banesat që katagorizohen në dëmtime serioze dhe dëmtime shumë të rënda strukturore. Tashmë mund të them se ne kemi një listë të qartë të dëmeve të shkaktuara nga tërmeti në bashkitë kryesore të cilat prej kohësh këto bashki në bazë dhe të idesë që kryeministri e ka hedhur në mbledhjen e qeverisë dhe në diskutimet e tjera nëpër media se ideja për të ndërtuar lagje të reja moderne, me një plan të mirfilltë urban, ka bërë që bashkitë prej kohësh të merren me identifikimin e hapësirave të lira shtetërore. Përsa i përket bashkisë së Durrësit, kemi identifikuar një territor të madh të vizituar edhe nga kryeministri Rama që ndodhet pranë onës së Universitetit Aleksandër Moisiu në Durrës është një zonë goxha e madhe, mbi 110 hektarë tokë shtetërore që është një zonë afër me qytetin dhe me detin dhe që sigurisht do të jetë gati për të hartuar një prim plan të mirfilltë urbanistik. Megjithatë po shikohen edhe sipërfaqe të tjera por kjo është zona e pikasur si fillim si tokë shtetërore. Por identifikimin e hapësirave shtetërore e ka bërë edhe Bashkia Krujë, Shijak, Lezhë të gjitha bashkitë që kanë kohë që po punojnë për këto hapësira mjafto që të plotësohet procedura e parashikuar në këto vendime qeverie dhe do të kemi edhe listën edhe mastër planet.

 

Një pjesë e banorëve ndodhen nëpër hotele, një pjesë i kanë lënë dhe një pjesë tjetër po bëhen gati për ti lënë hotelet pasi këto të fundit do të bëhen gati për sezonin turistik. Sa prej tyre kanë gjetur strehë, apo keni ju bilanc se ku janë strehuar këto familje apo cili është fati i tyre?

 

Ju keni thënë se njerëzit do të lënë hotelet por mos krijohet ndonjë situatë kaotike, unë mund të them se deri më tani është menaxhuar shumë mirë situata. Ne vendosëm një datë që ishte nga data 3 deri më 5 janar hotelet duhet të boshadisen pasi fillon sezoni turistik, por siguria e qytetarëve qëndron e para dhe sigurisht që hotelet nuk janë boshadisur 100% , sigurisht situata është dinamike sepse të paktën në qarkun e Durrësit në zonën e hoteleve që kanë mirpritur qytetarët pikun e ka arritur me 4200 qytetarë dhe sot që ne flasim në hotele kemi 2040 persona.

 

Këto persona që janë larguar e kanë marrë edhe bonusin e qerasë?

Absolutisht, asnjë person nuk largohet pa përfituar bonusin e qerasë. Bashkia e Durrësit ka miratuar një listë prej 3863 aplikime për bonus qeraje nga të cilët kanë marrë pagesën 1034 kryefamiljarë dhe një pjesë e këtyre janë dhe banorë nëpër hotele, një pjesë sigurisht janë dhe nga ata që nuk përmbushin kushtet që kanë qenë me qera por ju kemi lënë kohë që të gjejnë sërish një banesë tjetër me qera siç kanë qenë më parë. Sigurisht që tregu ka lëvizuar edhe janë vërejtur dhe tendenca për rritjen e çmimeve të qerasë por unë besoj se e ka zbutur shumë pjesën apo ka shërbyer si rregullator kriteri që ne hoqëm që ishte kontrata e qerasë. Tashmë me heqjen e saj kemi vënë re se kjo ka shërbyer si një rregullator në treg për të gjetur mundësi banimi. Në shumë raste flas për Durrësin një pjesë e banorëve për shkak dhe të punës kanë marrë shtëpi në Tiranë. 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *