Në Vlorë qytetarë të shumtë u mblodhen në protestë para bashkisë, pasi prej katër ditësh kanë mungesë të furnizimit me ujë.
Banorët e revoltuar kërkuan fillimisht të hynim në bashki me bidona në duar.
“Hapeni derën, ose do e thyejmë! Duam ujë”, u shprehën ata.
“Me dorë mos prek! Mos prek me dore, hiqe dorën”, thotë një tjetër.
Protestuesit madje qëlluan me vezë në drejtim të institucionit, ndërsa bllokuan edhe qarkullimin rrugor në segmentin që të çon në drejtim të spitalit rajonal.
Prej katër ditësh Vlora është pa ujë, dhe autoritet lokale thonë se po punohet për rikthimin e furnizimit në normalitet, por procesi ka hasur vështirësi.
Pas dy ndërhyrjeve, ku u tentua një zgjidhje alternative, presioni i lartë i ujit ka shkaktuar sërish çarje të tubacionit, duke e bërë të pamundur rikthimin e furnizimit.
Ujësjellësi deklaron se po punohet për gjetjen e një zgjidhje provizore, por ende uji nuk është rikthyer në çezmat e vlonjatëve.
Prova e kryer dy ditë më parë nuk ka dhënë rezultat dhe aktualisht po punohet për gjetjen e një zgjidhjeje tjetër me synimin që furnizimi të rikthehet gjatë pasdites.
Sipas autoruteteve të Ujësjellësit për institucionet e rëndësisë së veçantë janë përdorur linja të tjera furnizimi.





