Pas infektimit me Covid-19 të Avdullah Hotit, opozita në Kosovë kërkon dorëheqjen e kryeministrit.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari-Lila tha se Kosova ka një kryeministër, i cili nuk respekton protokollin në kohë pandemie, duke kërkuar dhe largimin e tij pasi ka vënë në rrezik qytetarët me të cilët është takuar kohët e fundit.

MIMOZA KUSARI LILA
DEPUTETE E VV

“Pasi nuk u ndie mirë dhe pasi pati arsye të testohet, pse nuk u izolua z. Hoti?  Pse ai bëri të kundërtën e protokollit, i cili sugjeron se prej testimit deri tek marrja e rezultatit, personi izolohet? Pse z. Hoti pasi u testua doli në terren dhe takoi dhjetëra njerëz e biznese të cilët sot të gjithë potencialisht janë të rrezikuar e sigurisht disa prej tyre, nuk do t’iu jepet as mundësia për t’u testuar. Asnjëri nga ta nuk ia pat me borxh të marrë virusin nga kryeministri.”

I menjëhershëm ishte reagimi i kryeministrit. Ai shpjegoi se pse nuk u vetizolua pas shfaqjes së simptomave të koronavirusit.


AVDULLAH HOTI
KRYEMINISTER I KOSOVES

“Edhe pse nuk kam pas asnjë shqetësim serioz, me paraqitjen e një kolle të lehtë të dielën, bashkëpunëtorët me rekomanduan të testohem. Testimin e kam bërë të dielën rreth orës 16. Në momentin që jam testuar, jam izoluar në pritje te rezultatit, pasi kështu është protokolli i rekomanduar nga mjekët. Sapo e kam marre rezultatin, e kam bërë publik. Kushdo që deklaron ndryshe nuk thotë të vërtetën.”

Kryeministri Hoti ka zhvilluar takime me ministra, personel të stafit mjekësor në Klinikën Infektive, biznesmenë por edhe me përfaqësues të Bashkësisë Islame të Kosovës.

Kosova po përballet me një valë të ashpër të virusit. Që nga 25 korriku deri në më sot në Kosovë kanë humbur jetën të paktën 80 persona si pasojë e infektimit nga Covid-19, pacientë të cilët vuanin edhe nga sëmundje të tjera bashkëshoqëruese.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *