Subscribe

Në 25 prill koalicionet do të mund të garojnë vetëm me listë të përbashkët kandidatësh.

 

Përpjekja e fundit e presidentit Ilir Meta dhe opozitës për të rikthyer modelin e vjetër të koalicioneve dështoi pasi në mesditë komisioni i Venecias miratoi pa ndryshime thelbësore opinionin paraprak që dërgoi në Tiranë pak ditë më parë.

 

Ekspertët e Venecias dhe Odihr së bashku rekomandojnë që deri në 25 prill të gjithë palët të përpiqen të zbatojnë në kohë ligjin elektoral.

 

“Për të shmangur çdo ndryshim të mëtejshëm të legjislacionit zgjedhor përpara zgjedhjeve të ardhshme parlamentare; në veçanti, caktimi i kufijve të zonave elektorale nuk duhet të ndryshohet.”

 

Venecia vë në dukje se ndryshimi i rregullave se si garojnë koalicionet nuk përbën ndryshim thelbësor dhe ky moment nuk është përfshirë në rekomandimet që klasa politike duhet të adresojë pas zgjedhjeve.

 

 

“Nuk ka gjasa që kjo të çojë në ndryshime në caktimin e një numri të madh vendesh. Sidoqoftë, në një garë të ngushtë elektorale, ndryshime të tilla mund të jenë vendimtare për marrjen e shumicës së vendeve në Parlament. Duhet të theksohet se, në vitin 2017, rregulli mbi koalicionet nuk u zbatua pas një marrëveshje politike konsensuale, kështu që në praktikë asnjë ndryshim i vërtetë nuk do të ndodhte përkundër zgjedhjeve të fundit parlamentare.”

 

Ekspertet e Venecias i cilësojnë të arsyeshme ndryshimet e realizuar në kod në 5 tetor.

 

“Këto ndryshime janë të arsyeshme pasi kryesisht reflektojnë ndryshimet kushtetuese të fundit dhe mund të kenë një ndikim pozitiv në proceset zgjedhore.”

 

Por nga ana tjetër Komisioni i Venecias nuk i ka kursyer kritikat për procedurën e ndjekur në lidhje me ndryshimet kushtetuese nga ana e mazhorancës, duke vënë në dukje se ato u realizuan shpejt e pa konsultimet e nevojshme.

 

“Mbetet një fakt që i gjithë procesi ishte i nxituar, duke pasur parasysh rëndësinë e mundshme të ndryshimeve kushtetuese për zgjedhjet e ardhshme. Për më tepër, miratimi i ndryshimeve në Kushtetutë u bë pak më pak se 9 muaj para zgjedhjeve të ardhshme. Në një rast të tillë, konsultimi midis aktorëve politikë dhe organizatave joqeveritare është veçanërisht i rëndësishëm.”

 

Me mbylljen e kapitullit të Venecias mbaron edhe debati për kuadrin ligjor për zgjedhjet në Shqipëri, e të gjithë palët kanë kohë deri në 17 shkurt për të vendosur strategjinë me të cilën do të garojnë në zgjedhje; sa parti do të regjistrohen në KQZ e sa të tjera do të hyjnë ne ombrellën e partive të mëdha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *