Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu paralajmëroi qytetarët që banojnë në zonat e gjelbra që do të hapen nga e hëna që të mos abuzojnë me liridaljen.

Ai kreu një inspektim për masat e marra në këto zona dhe deklaroi se monitorimet nga ana e policisë do të vijojnë edhe përgjatë ditëve në vijim. Sipas Veliut, çdo qytetar që kapet me shkelje, do të ndëshkohet sipas parashikimeve të Kodit Penal.

“Për të gjithë qytetarët e kësaj zone, kjo mundësi për të lëvizur lirshëm midis fashave për moshën e tretë nga ora 06:00 deri në orën 08:30 dhe nga ora 09:30 deri në orën 17:30 për pjesën tjetër të popullsisë është një mundësi që nuk duhet keqpërdorur, por duhet shfrytëzuar duke respektuar të gjitha normat e sjelljes dhe detyrimet të cilat janë përcaktuar tashmë përsa i përket distancimit social, por edhe përsa i përket pjesës tjetër të mënyrës së lëvizjes, të cilët nuk duhet të jenë jo më shumë se dy persona apo mosfrekuentimit të parqeve, lokaleve e vendeve publike. Kjo mundësi e dhënë, përveç ndërgjegjësimit të qytetarëve do të pasohet me kontrolle dhe monitorime të cilat do t’i bëjë Policia e Shtetit dhe do të pasohen në rast se do të konstatohen, me masa administrative gjobë, njëkohësisht duke u implementuar edhe ndryshimet e fundit të Kodit Penal, pas hyrjes në fuqi.”

Ardi Veliu nënvizoi se futja në det e qytetarëve në zona të tilla si Saranda dhe Himara nuk do të lejohet.

“Gjithashtu, për Sarandën dhe për zonën e Himarës dhe për gjithë zonën e bregdetit, duke qënë se janë zona të cilat lagen nga deti dhe do të jenë një mundësi për t’u shfrytëzuar nga pushuesit për të hyrë në det, bëj me dije se këto veprime janë veprime totalisht të ndaluara dhe nuk do të tolerohen në asnjë moment nga Policia e Shtetit, prandaj gjej një mundësi t’u bëj thirrje gjithë qytetarëve të mos kenë absolutisht asnjë tendencë që të frekuentojnë plazhet derisa të dalë një urdhër i dytë që të normojë mënyrën sesi do të trajtohet, mënyrën sesi do të veprohet me plazhet.”

Hapja e disa zonave u urdhërua nga kryeministri Edi Rama duke qenë se atje risku për tu përhapur virusi koronë është i ulët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *