Subscribe

Në prag të nisjes së vitit të ri, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi një takim me drejtuesit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të kryeqytetit në mjediset e rikonstruktuara të shkollës “Dhora Leka”. Veliaj tha se po vijon ndërhyrja në çdo shkollë dhe se gjendja në to është përmirësuar ndjeshëm krahasuar me 4 vjet më parë.

 

“Më vjen mirë që kemi një palestër të re, kemi transformuar gjithë hapësirat e tjera, si jashtë, ashtu dhe brenda shkollës. Njësoj si efekt domino, njëra pas tjetrës, nëse nuk kemi mbërritur ende tek shkolla juaj, është vetëm çështje kohe. Tre-katër vjet më parë ishte siklet se nuk kishim prekur shumicën e shkollave, kurse tani i kap me gishtat e dorës ato shkolla që ende kanë nevojë për një ndërhyrje, ku sigurisht nuk do të vonojë”, tha Veliaj, teksa shtoi se shkollat e reja kanë ulur numrin e nxënësve nëpër klasa.

 

Ai kërkoi prej mësuesve, por edhe prindërve, që nxënësit të regjistrohen në shkollën më pranë banesës së tyre, duke shmangur në këtë mënyrë jo vetëm mbipopullimin nëpër klasa, por edhe trafikun në qytet, duke kursyer disa orë të vlefshme të humbura.

 

“Një sfidë e fundit është ç’ështja e regjistrimeve. Legjenda e Tiranës së viteve ’80, ku vetëm dy shkolla janë të mira, nuk ekziston më. Shkollat, kur bëhet renditja, lëvizin me milimetra për performancë. Më rezulton se shkolla e Lundrës është ndër të parat. Portali ka arritur që të bëjë thuajse një barazi mes shkollave. Duhet një punë mjaft emancipuese. Prindërve duhet t’u themi: janë orë jetë njeriu që, o mund t’i kalojmë në trafik, duke shkuar te “Sami Frashëri”, ose në ato 600 orë mund të mësojmë piano, basketboll, programim ose gjuhë të huaj”, tha ai.

 

Që çdo gjë të jetë gati, Bashkia e Tiranës do të organizojë më 14 shtator edhe një aksion të gjerë pastrimi në gjithë territorin e saj. Kryebashkiaku Veliaj ftoi stafin arsimor që të kontribuojë për ruajtjen e pastërtisë brenda mjediseve të shkollës, ndërkohë që ndërmarrjet e bashkisë dhe qindra vullnetarë, që priten t’i bashkohen kësaj nisme, do të kujdesen për ambientin jashtë.

Një nismë tjeter që ka nisur për çështjen e trafikut është edhe “STEPtember”, e cila synon uljen e ndotjes, ndërkohë që gjithnjë e më shumë po shtohet rrjeti i korsive të biçikletave.

Veliaj tha se pranë çdo shkolle do të ketë një punonjës të Policisë Bashkiake apo vullnetarë, që do të ndihmojnë të vegjlit të kalojnë vijat e bardha në kryqëzim.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *