Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka inspektuar këtë të hënë punimet për segmentin e tretë të Bulevardit të Ri ku ka njoftuar edhe hapjen e segmentit të dytë.
Gjithashtu në këtë inspektim kryebashkiaku ka komentuar edhe situatën e krijuar në anën tjetër të Lumit të Tiranës, në Bashkinë e Kamzës, ku deklaroi se Bashkia e Kamzës në vend që të punojë për të përmirësuar jetën e qytetarëve të saj, sjell çdo ditë në Tiranë protestues që pengojnë projektet e Tiranës, duke iu referuar protestave për Unazën e Madhe.
“Teksa shoh kontrastin, tani që po i afrohemi lumit dhe ku investimi ynë i lumit të Tiranës na ndan nga bashkia që vjen e proteston çdo ditë në Tiranë; teksa shoh që ana përballë lumit vazhdon e hidhen plehra, të digjen plehra, i gjithë tymi vjen në Tiranë, u them që ju mirëpresim! Tani ju kemi bërë edhe një bulevard të ri, mund të vini të protestoni për çdo gjë, por fillimisht na tregoni, si e bëni ju këtë punë! Dhe para se të mobilizoheni të rrëzoni qeverinë dhe ata që kanë sjellë gjithë këtë zhvillim e progres për Tiranën, na thoni nga kush duhet të marrim shembull”.
Gjithahstu Veliaj ka theksuar se pavarësisht këtyre përpjekje për të bllokuar punët, Tirana do ecë përpara duke çuar deri në fund projektet e transformimit të saj.
“Unë nuk besoj që në Tiranë duhet të vazhdojnë të hidhen më plehra në lumë apo në Lanë, apo në Erzen; nuk besoj se duhet të digjen më plehra, ndërkohë qe kemi një mënyrë moderne sot të përpunimit; nuk besoj që rruga, dhuna, pengesa, sabotimi është mënyra për të ecur përpara”.