Ministria e Punëve të Jashtme reagoi për vdekjen e shqiptarit Mentor Rexha në një burg të Francës. Pas pretendimeve të familjarëve se djali i tyre është vrarë, MEPJ ka kërkuar informacione nga autoritetet franceze. Sipas njoftimit për shtyp, edhe ambasada shqiptare në Francë dyshon për vdekjen e Mentor Rexhës.

 

“Ambasada shqiptare në Francë njofton se, që nga momenti i njohjes me ngjarjen, ka përcjellë nga afër çdo praktikë ligjore dhe ka qëndruar në kontakte të pandërprera me familjarët e shtetasit shqiptar, Mentor Rexha. Ditën e shtunë, datë 8 shkurt 2020, të afërmit mundën të vizitojnë trupin e të ndjerit. Gjatë kontaktit me Ambasadën shqiptare, ata shprehën dyshime lidhur me shkaqet e vdekjes së tij. Bazuar në këto pretendime, Ambasada shqiptare në Francë ka kërkuar informacion suplementar nga autoritetet franceze mbi ngjarjen dhe ka sugjeruar që paralelisht familja e të ndjerit të kontaktojë një avokat për ndjekjen e çështjes nga ana ligjore.”

 

Sa i takon kthimit të trupit në Shqipëri, Ministria e Jashtme sqaroi se janë informuar familjarët dhe do të ndiqen procedurat sipas rregullave.

 

Mentor Rexha u gjet i pajetë në qelinë e burgut në Francë. Autoritetet franceze e raportuan ngjarjen si vetëvrasje, por familjarët pretendojnë se djali është masakruar dhe vrarë. Ata kanë publikuar edhe disa foto që tregojnë dhunën makabre të ushtruar ndaj tij.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *