Kreu i Partisë Demokratike në Berat, Gazment Azizi ka reaguar lidhur me ngjarjen e rëndë të regjistruar të premten në Berat, ku një fëmijë 4-vjeçar humbi jetën pasi ra në kontakt me energjinë elektrike.

Përmes një mesazhi në “Facebook”, Azizi kërkoi reagimin e qytetarëve ndaj kësaj fatkeqësie, teksa shtoi se ai fëmijë mund të ishte i kujtdo.

Azizi tha se 4-vjeçari ka humbur jetën në lulishten qendrore të qytetit, pasi ka rënë në kontakt me rrymën elektrike. Sipas tij, telat e zhveshur, “të pasiguruar me pusetat që prej kohësh qëndrojnë të hapura dhe në tension”.

“Shkëlqimi i fasadave VRASTARE! Një fëmijë 4-vjeçar ka humbur sot jetën, si rezultat i kontaktit me energjinë elektrike në lulishten qëndrore të qytetit të Beratit. Zbukurimet vezulluese të përgatitura dhe aq shumë të trumbetuara nga bashkia Berat,i kanë marrë jetën 4-vjeçarit, i cili ishte duke luajtur në lulishten qendrore te qytetit. Telat e zhveshur,të pasiguruar me pusetat që prej kohësh qëndrojnë të hapura dhe në tension, kanë vrarë sot qytetarët beratas. Ai fëmijë mund të ishte i kujtdo ,ndaj të gjithë bashkë duhet të reagojmë, ndaj kësaj fatkeqësie. As taksat dhe , as tarifat e larta që paguajnë qytetarët beratas nuk mundësojnë dot shërbim cilësor ,dhe të sigurt nga kjo bashki. Të dashur bashkëqytetarë, duhet të reagojmë sa nuk është ende shumë vonë!”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *