Kryeministri Edi Rama u kritikua nga nënkryetari i LSI, Petrit Vasili për sulmet e tij ndaj Bashkimit Evropian për vaksinat. Në një deklaratë për mediat, Vasili e krahasoi sjelljen e Ramës me atë të një garipi.

 

“Mbështetjet e BE me veprime, me transparencë, me zhvillim të plotë të demokracisë janë hapa pa kthim të cilat Edi Rama nuk mund t’i ndalë dot. Në të kundërt ai ka zgjedhur të flasë publikisht e të thotë që ky lidhur me Europën mund të flasë si të dojë. Si qytetar i zakonshëm. Edi Rama nëse do të flasë si qytetar aty në rrugë, të largohet nga zyra e tij e kryeministrit, të shkojë në shtëpinë e tij në Surrel e të këpusë broçkulla sa të dojë për Europën e të shikojë do ta dëgjojë njëri në Europë dhe në Shqipëri. Por në karrigen e kryeministrit ai nuk ka asnjë të drejtë, as të bëjë garipin, as të bëjë vagabondin e porositur për të penguar sfidën evropiane të shqiptarëve.”

 

Duke kërkuar përgjigje se kur do të vaksninohen shqiptarët, Vasili e akuzoi shefin e qeverisë se po shndërrohet në një kontrabandist ilaçesh. Për të, gjithçka do të marrë fund në 25 prill.

 

“Kësaj qeverisjeje i duhet dhënë derma e të bëhet përmbysja e madhe që do të ndodhë pa asnjë diskutim në 25 prill, sepse shqiptarët nuk duan që problemet e tyre shëndetësore të përdoren për qëllime politike, por nuk duan që milionat e eurove të tyre të futen në kanalet klandestine ashtu siç u futën edhe vaksinat, në torbën e Edi Ramës, që nuk i dihet as vendi nga erdhën. Pra ku kryeministri i vendit të shndërrohet në një kontrabandist ilaçesh.”

 

Kryeministri Rama shprehu rezerva për qëndrimin e BE, e cila vendosi të mos i ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor me vaksinat.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *