Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili sulmoi ashpër kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi. Duke iu rikthyer ndryshimit të ligjit për emërimin dhe betimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Vasili tha se Rama dhe Ruçi hodhën poshtë Komisionin e Venecias. Sipas tij, ata i kërkuan mendim Venecias për këtë çështje, por nuk pritën fare për ta sepse e miratuan ligjin një ditë para vizitës zyrtare në Tiranë.

 

“Kryeministri i Shqipërisë së bashku me Kryetarin e Parlamentit kanë guxuar të poshtërojnë, të ofendojnë, të shkelin me këmbë edhe institucionet ndërkombëtare. Në rastin konkret një institucion shumë të respektuar dhe autoritar, i cili ka qenë përcaktues për legjislacionin e Shqipërisë, Kushtetutën e Shqipërisë dhe ligjet të tjera të rëndësishme siç është Komisioni i Venecias. Komisioni i Venecias vjen në Tiranë për të bërë një mision, për të dëgjuar palët, për të marrë ato mendimet e veta dhe në datën 13 takon këtë Gramoz Ruçin që e kishte thirrur Komisioni i Venecias për këto punë, që kërkonte sqarime, që kërkonte mendime, opinione, por Gramoz Ruçi kishte bërë seancë plenare dhe që një ditë përpara dhe e kishte miratuar atë gjë.”

 

Për numrin dy të LSI, ky është një turp për Shqipërinë që vërteton se vendi qeveriset nga bandat.

 

“Ky është një turp që Shqipëria nuk e ka parë ndonjëherë, që të kërkojë mendim dhe të mos ta presë mendimin por që më përpara ta botojë ligjin në Parlament ndërkohë që ishte kërkuar, ndërkohë që një delegacion nga 7 vende të ndryshme të Europës vijnë të verifikojnë situatën me seriozitet, Gramoz Ruçi me Edi Ramën e kanë marrë vendimin e tyre, që ai anëtari i Gjykatës Kushtetuese të betohet tek posta e lagjes. Ky është një nga ato veprime të qarta, flagrante skandaloze, të turpshme, që tregojnë qartazi që në krye të qeverisë ekzistojnë disa banditë politike, e në krye të Parlamentit ekzistojnë po këta banditë politikë. Këto janë veprime banditeske dhe asgjë më shumë se kaq.”

 

Petrit Vasili shtoi se mazhoranca të gjitha këto po i bën që të kapë Gjykatën Kushtetuese.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *