Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili kërkoi dorëheqjen e qeverisë socialiste. Ai tha në “Facebook’ se mazhoranca dështoi me menaxhimin e pandemisë.

Sipas tij, shifrat e ditëve të fundit e tregojnë diçka të tillë, duke qenë se situata në vendin tonë vetëm përkeqësohet.

“Qeveria të dorëhiqet menjëherë, për shkak të saj gjendja katastrofale me pandeminë! Dështimi shumë i rëndë i qeverisë në administrimin e pandemisë është fakt i dhimbshëm dhe i pakundërshtueshëm. Sot u diagnostikuan 154 raste të reja me COVID-19. Situata me pandeminë po rëndohet keqas dita-ditës. Qeverisë i ka dalë tërësisht nga kontrolli çdo gjë që lidhet me pandeminë.”

Vasili shtoi se mjekët e infermierët nuk dinë si të veprojnë në këtë situatë, duke qenë se nuk ka kush i udhëzon e mbështet.

“Armata e mjekëve dhe infermierëve është pa drejtim dhe realisht e demotivuar pasi rezultatet janë gjithmonë e më negative dhe me pasoja vdekje dhe infektime të vazhdueshme. Është e qartë që qëndrimi i kësaj qeverie rëndon së tepërmi përgjegjësitë e saj penale, duke filluar nga kryeministri Edi Rama, që është përfshirë personalisht në veprime e deklarime shumë të gabuara e me pasoja të rënda në shëndetin e njerëzve.”

Petrit Vasili vlerësoi se nëse Edi Rama vijon të qëndrojë në detyrë, atëherë atë nuk pret gjë tjetër veçse një fund i hidhur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *