Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili shkruan se situata e rasteve me koronavirus paraqitet problematike.

Në një deklaratë për mediat, ai shprehet se Ministria e Shëndetësisë e ka nxjerrë jashtë vëmendjes vazhdimin e rritjes së rasteve pozitive dhe se është përqëndruar në propagandën mediatike.

Sipas tij, është fakt që shumë të sëmurë kanë qëndruar për një kohë të gjatë në banesë pa pasur kujdesin e duhur shëndetësor, pa pasur një protokoll të mirëfilltë mjekësor dhe për pasojë gjendja e tyre është përkeqësuar.

“Situata e rasteve me Covid-19 paraqitet shumë problematike dhe rastet vazhdojnë të jenë të shtuara, me një mesatare më shumë se 100 raste në ditë, mbi 130, 150. Ministria e Shëndetësisë qartësisht ka hequr fokusin dhe ka nxjerrë jashtë vëmendjes së saj këtë masivitet rastesh dhe është përqendruar qoftë në mbështetje, qoftë në daljen mediatike, qoftë në propagandën mediatike vetëm në QSUT. Sot në Shqipëri ku 150 të sëmurë në ditë ekzaminohen me Covid, është fare e qartë që një numër fare i vogël i tyre shkon në spitalet tona dhe dhjetëra e qindra të tjerë vazhdojnë trajnimin e tyre në banesë. Sot përpara të gjithë shqiptarëve ekzistojnë dy probleme të mëdha: problemi si duhet i këtyre pacientëve në banesë dhe e dyta, mundësia e mbulimit me shërbim mjekësor me barna dhe me të gjitha shtesat e tjera mjekësore që i duhen një trajtimi të plotë me Covid. Është fakt që mjaft të sëmurë kanë qëndruar për një kohë të gjatë në banesë pa pasur kujdesin e duhur shëndetësor, pa pasur një protokoll të mirëfilltë mjekësor dhe për pasojë gjendja e tyre është përkeqësuar dhe ata kanë humbur jetën e tyre duke ardhur në spital në një moment shumë të vonë, pothuajse të pamundur për t’u ndihmuar më tej.”

Për Vasilin, krijimi i qendrës së koordinimit për të gjitha rastet e konfimruata pozitive që po trajtohen në banesë është një domosdoshmëri dhe detyrim shtetëror.

“Të krijohet paketa e shërbimit në banesë për ta. Qoftë e kujdesit mjekësor, ashtu dhe atij infermieror. Të sigurohet që të gjithë barnat që përdorin këta të sëmurë me Covid të jenë gratis dhe të paguhen nga shteti pasi jemi në një moment të një gjendje të jashtëzakonshme shëndetësore. Gjithashtu të ndërmerren të gjitha hapat dhe të miratohen paratë e duhura, paketat, mekanizmi shumë i shpejt, monitoruesi dhe implementuesi i përditshëm që këto të sigurohen pa asnjë pagesë, ku gjithashtu të parashikohet dhe rimbursimi i të gjithë atyre pacientëve, të cilët janë trajtuar në banesë, e të cilëve trajtimi në banesë u ka kushtuar qimet e kokës e në shumë raste dhe me një përfundim fatal.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *