Subscribe

Vaji i lulediellit është një nga produktet e shportës që ka pësuar rritjen më të madhe të çmimit në këto ditë krize.

 

Aredi Sado, drejtor në një prej kompanive më të mëdha që importon vaj për vendin, shpjegon për “Vizion Plus” se shtrenjtimi me rreth 50 lekë vjen si pasojë e luftës, në të cilën janë përfshirë dy prodhuesit më të mëdhenj botërorë të vajit të lulediellit.

 

 

AREDI SADO

IMPORTUES

 

“Rritja e çcmimeve buron nga lufta që zhvillohet sot mes Ukrainës dhe Rusisë. Këto dy vende sot përfaqësojnë 80% të prodhimit botëror, Ukraina 44% vaj luledielli. Në këto momente, Ukraina nuk eksporton. Ndërsa Rusia shumë pak për shkak të vetë luftës, pikat e daljes së anijeve ruse janë në Detin e Zi dhe janë në zonat e konfliktit, është tepër e vështirë dalja e këtyre anijeve.”

 

Importuesit e vajit thonë se tregu botëror është përfshirë nga pasiguria sepse është prishur zinxhiri i prodhimit në dy vendet kryesore. Ndaj po shihen tregje alternative si Bullgaria, Serbia apo Hungaria, njësoj si në rastin e grurit, për të garantuar furnizimin për konsumatorët.

 

AREDI SADO

IMPORTUES

 

“Sot që flasim kemi mungesë të vajit të lulediellit në tregun botëror. Rezervat e 20% vijnë nga Argjentina dhe vende të tjera evropiane, që duke pasur sasi shumë të vogla, automatikisht kanë rritur çmimet. Mbjellja e farës bëhet gjatë muajit mars dhe Ukraina nuk po mbjell, sepse jemi në luftë. Ka probleme të mbjelljes edhe në Rusi. Sot që flasim për të dalë dhe për të blerë vaj lëng, burimet më të afërta janë Bullgaria, Serbia dhe çmimi aktual i blerjes shkon 448 lekë të reja, me gjithë TVSH.”

 

Kur nisi vala e rritjes së çmimeve, një pjesë e konsumatorëve shqiptarë u dyndën nëpër markete për t’u furnizuar për një periudhë më të gjatë kohore dhe kjo ka bërë që stoku i kompanive të ulet. Për rrjedhojë, pritshmëritë e operatorëve për të shitur vaj luledielli në dy muajt në vijim janë më të ulëta dhe thonë se sot po mesatarizojnë stokun me çmimin, për të zbutur sa më shumë efektet negative për biznesin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *