Presidenti Ilir Meta ka reaguar në lidhje me përgjimet e publikuara të mërkurën në gazetën prestigjoze “Bild” për kryebashkiakun e Durrësit Vangjush Dako, i cili akuzohet se është I përfshirë në blerjen e votave.

 

Përmes një deklarate për mediat, Meta shprehet se e ka ndjekur me vëmendje të gjithë situatën ndërsa I bën thirrje prokurorisë që të hetojë këtë ngjarje sa më shpejt në interes të opinionit publik.

 

Duke iu referuar Kushtetutës, Meta thekson se asnjë urdhër nuk mund të ketë autoritet për ndalimin e publikimit të materialeve hetimore nga media ndërsa e cilëson si te gabuar urdhërin e prokurorisë për ndalimin e përgjimeve.

 

 

Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta ka ndjekur me shumë vëmendje dhe shqetësim të thellë publikimet e gazetës së njohur gjermane “Bild”, të interceptimeve të bisedave telefonike mes disa funksionarëve publikë në Qarkun e Durrësit me persona me precedentë kriminal gjatë procesit të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017.

 

Presidenti i Republikës gjithashtu është njohur edhe me reagimin e organit të Prokurorisë ndaj publikimit të këtyre interceptimeve, që nëpërmjet një urdhërese kërkon ndalimin e publikimit të tyre në media.

Presidenti i Republikës duke shprehur shqetësim të thellë në lidhje me këtë urdhër të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda thekson se:

 

Referencat ligjore të nenit 104 të Kodit të Procedurës Penale, nenit 295/a, paragrafi i 3-të të Kodit Penal, të përdorura nga organi i Prokurorisë përcaktojnë detyrime ligjore që i adresohen për zbatim punonjësve të shtetit dhe nxjerrja e një urdhëri të tillë, indirekt intimidon median e lirë, ç’ka është e papranueshme për një shoqëri demokratike.

 

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, mbron të drejtën themelore të qytetarëve për informim. Neni 22 i saj sanksionon qartë se :

1.Liria e shprehjes është e garantuar.

2.Liria e shtypit, e radios dhe e televizionit është e garantuar.

3.Censura paraprake e mjeteve të komunikimit ndalohet.

 

Ndërsa neni 23, pika 1 sanksion qartë se: E drejta e informimit është e garantuar.

 

Asnjë urdhër nuk mund të ketë autoritet mbi këtë të drejtë themelore kushtetuese të medias së lirë e të pavarur.

 

Presidenti i Republikës, inkurajon organin e Prokurorisë të hetojë me përparësi, paanësi dhe profesionalizëm këtë dosje të bërë publike por edhe cdo dosje tjetër që ka të bëjë me manipulimin e zgjedhjeve apo intimidimin e qytetarëve me qëllim deformimin e vullnetit te tyre të lirë dhe shtrembërimin e rezultatit të zgjedhjeve.

 

Çdo vonesë në hetimin dhe zbardhjen e së vërtetës nga ana e organit të Prokurorisë, nuk i shërben interesit publik të përgjithshëm.

 

Presidenti i Republikës mbështet reagimin e sotëm të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë lidhur me këtë çështje dhe inkurajon të gjithë gazetarët kurajozë në denoncimin e fakteve dhe të dhënave kriminale.

 

Rikthimi i besimit tek zgjedhjet e lira dhe të ndershme është vendimtar jo vetëm për bashkëjetesën tonë të shëndetshme demokratike si shoqëri, por edhe për celjen e negociatave për antarësimin në Bashkimin Evropian sa më parë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *