Jo vetëm në Shqipëri, por Ervin Mata duket se ka hesape të hapura edhe me drejtësinë në Brazil. Sipas mediave të huaja, Gjykata e Lartë Federale në Brazil ka lëshuar urdhër arresti për biznesmenin Ervin Mata, i cili dyshohet se fshihet në këtë shtet, pasi është në kërkim ndërkombëtar me urdhër të SPAK.
Referuar mediave të huaja, shteti brazilian mësohet ta ketë lëshuar urdhër-arrestin më 23 shtator, për akuzat e trafikut ndërkombëtar të drogës. Ndërkohë, ai vijon ende të jetë në kërkim.
Ervin Mata është shpallur në kërkim në nëntor të vitit 2023, i akuzuar nga SPAK për grup të strukturuar kriminal në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike nga Amerika Latine në Europë.
Në dosjen voluminoze të Prokurorisë së Posaçme janë përfshirë në total 11 persona në këtë grup kriminal, ndër ta edhe ish-nëndrejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani, dhe djali i tij, Eralbi Breçani, ky i fundit kunati i Ervin Matës.
Sipas SPAK, organizata me në krye Matën ishte e përfshirë në trafikun e kokainës, kjo e dokumentuar pas goditjes së 4 episodeve nga autoritetet e huaja, pasi u sekuestruan lëndë narkotike në Holandë, Brazil, Kolumbi dhe Spanjë.
Ndaj Matës janë ngritur akuza edhe për sigurimin e kushteve për vrasjen e dy personave në Shqipëri.
Jo vetëm kaq, por emri i Ervin Matës u përfol shumë edhe në masakrën e ish-Bllokut, më 4 tetor të vitit 2018, ku ai u përplas me armë zjarri me Ervis Martinajn, ku mbeti i vrarë Fabian Gaxha.
/vizionplus.tv





