Parlamenti e shpëtoi Presidentin e Republikës, Ilir Meta nga shkarkimi. Por sulmet e kryeministrit Edi Rama ndaj tij nuk munguan.

Në fjalën e mbajtur në seancën plenare ku po diskutohet për raportin e Komisionit Hetimor, Rama tha se pavarësisht votimit, shkeljet e presidentit ngelen aty. Sipas tij, ky ishte edhe përfundimi i Komisionit të Venecias.

“Janë një sërë shkeljesh të konstatuara dhe të argumentuara. Ata që dolën këtu për të larë presidentin me ujin e Venecias, ju them që uji i Venecias nuk e ka nxjerrë të larë presidentin, por ka nxjerrë në pah një nga një të gjitha shkeljet. Shkeljet janë të një natyre që lidhen me një vullnet politik për ta ushtruar detyrën në mënyrë të njëanshme dhe për tu sjellë në zyrën e Presidentit të Republikës si një tutor i opozitës. Kjo është e vërteta dhe këtë e dimë të gjithë. Ilir Meta u bë president me votat e tij dhe tonat, nuk i kishim votat për të zgjedhur presidentin. Qysh në atë kohë unë e kam thënë që zgjodhëm presidentin më të mirë që mund të kishte zgjedhur opozita për veten e vet. Unë nuk e kisha paraparë që presidenti do të ishte aq i mirë për opozitën, sa do t’i bënte keq Shqipërisë me akte vandale në kundërshtim me Kushtetutën.”

Rama bëri edhe një krahasim të figurës së presidentit aktual me atë të paraardhësve të tij.

“Përpara Ilir Metës, Bujar Nishani duket si George Washington. Ishte absoluisht në rregull me Kushtetutën. Të njëjtën gjë mund të themi edhe për presidentët e tjerë, por jo për Ilir Metën. Ai e ka kthyer Presidencën në një seli të operacioneve politike dhe në një vatër për të hedhur zjarr duke përdorur Kushtetutën si letër dhe mllefin e tij ndaj kësaj shumice si benzinë. Por ne jemi në radhë të parë për të garantuar në çdo hap dhe në çdo vendim raportin e drejtë me veten dhe me njerëzit.”

Kreu i qeverisë shpreson që një president i tillë si Ilir Meta, që bën manifestime politike, të mos vijë më. Për të, është koha për një ligj organik për institucionin e Presidentit. Këtë detyrë Rama ja la Kuvendit për të shmangur probleme të ngjashme në të ardhmen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *