Udhëheqësit evropianë dhe të Lindjes së Mesme kanë mirëpritur një plan paqeje të SHBA-së për Gazën, ndërsa Presidenti Donald Trump e paralajmëroi Hamasin ta pranonte atë.
Plani, i dakordësuar nga Trump dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, propozon një ndërprerje të menjëhershme të luftimeve, lirimin brenda 72 orëve të 20 pengjeve të gjalla izraelite të mbajtura nga Hamasi, si dhe kthimin e trupave të pengjeve që besohet se kanë vdekur.
Zyrtarëve të Hamasit u është dhënë plani me 20 pika, tha një burim palestinez për BBC-në.
Plani gjithashtu parashikon që Hamasi nuk do të ketë asnjë rol në qeverisjen e Gazës dhe lë derën hapur për krijimin e një shteti palestinez, por Netanyahu e përjashtoi përsëri këtë mundësi.
Duke folur në konferencën për shtyp të së hënës në Shtëpinë e Bardhë, Trump e quajti planin “një ditë historike për paqen”.
Por ai tha se Netanyahu do të kishte mbështetjen e SHBA-së për të “shkatërruar Hamasin” nëse Hamasi nuk do të binte dakord me planin.
Netanyahu tha më pas se Izraeli “do ta përfundojë punën” nëse Hamasi e refuzon planin ose nuk e zbaton atë.
Në një deklaratë video, Netanyahu përsëriti kundërshtimin e tij të kahershëm ndaj një shteti palestinez.
“Nuk është shkruar në marrëveshje. Ne thamë se do ta kundërshtonim fuqimisht një shtet palestinez”, tha ai.
Autoriteti Palestinez (AP), i cili qeveris pjesë të Bregut Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, i ka quajtur përpjekjet e presidentit amerikan “të sinqerta dhe të vendosura”.
Në një deklaratë të përbashkët, ministrat e jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe, Arabisë Saudite, Katarit, Egjiptit, Jordanisë, Turqisë, Indonezisë dhe Pakistanit thanë se mirëpritën “planin e Trump dhe përpjekjet e tij të sinqerta për t’i dhënë fund luftës në Gaza”.
Ata thanë se ishin të gatshëm të angazhoheshin me SHBA-në për të finalizuar dhe zbatuar marrëveshjen, e cila, sipas tyre, duhet të çojë në një “zgjidhje me dy shtete”.
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, tha se ishte “i inkurajuar nga përgjigjja pozitive e Kryeministrit Netanyahu” ndaj propozimit. Ai shtoi se “të gjitha palët duhet ta shfrytëzojnë këtë moment për t’i dhënë paqes një shans të vërtetë”.
Propozimi, nëse ndiqet, do të fillojë me ndërprerjen e menjëhershme të operacioneve ushtarake. Hamasi do të dorëzojë armët dhe tunelet e objektet e prodhimit të armëve do të shkatërrohen.
Plani përcakton gjithashtu se sapo të dyja palët të bien dakord me propozimin, “ndihma e plotë do të dërgohet menjëherë në Rripin e Gazës”.
SHBA-të gjithashtu përshkruajnë planin e tyre për qeverisjen e ardhshme të Gazës.
Aty thuhet se një “komitet palestinez teknokratik” do të qeverisë përkohësisht “me mbikëqyrje nga një organ i ri ndërkombëtar kalimtar, i quajtur Bordi i Paqes”, i cili thuhet se do të drejtohet nga Trump.
Ish-kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Sir Tony Blair, do të jetë pjesë e organit qeverisës së bashku me udhëheqës të tjerë që “do të shpallen më vonë”.
Sir Tony e quajti planin “të guximshëm dhe inteligjent”.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, gjithashtu e mirëpriti planin, duke thënë: “Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të bashkohen dhe të punojnë me administratën amerikane për të finalizuar këtë marrëveshje dhe për ta bërë atë realitet.”
“Hamasi tani duhet të bjerë dakord me planin dhe t’i japë fund mjerimit, duke ulur armët dhe duke liruar të gjithë pengjet e mbetura”, shtoi Keir Starmer.
Presidenti francez Emmanuel Macron tha: “Franca është e gatshme të kontribuojë” në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës dhe për të liruar pengjet.
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, tha në një deklaratë se propozimi “mund të përfaqësojë një pikë kthese në këtë proces”.
Italia “u bën thirrje të gjitha palëve ta shfrytëzojnë këtë mundësi dhe ta pranojnë planin”, tha ajo.
Plani shton se Hamasi nuk duhet të ketë asnjë rol në qeverisje.
Pjesa më e madhe e planit përqendrohet në atë që SHBA-të e quajnë një “plan zhvillimi ekonomik” për të rindërtuar Gazën. Ai gjithashtu thotë se “Izraeli nuk do ta pushtojë ose aneksojë Gazën” dhe forca/vizionplus.tv





