Tre muaj pas pezullimit të pjesës më të madhe të proceseve gjyqësore si pasojë e dëmtimit të ambienteve nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, Gjykata e Lezhës, ka nisur funksionimin e plotë të punës së saj, duke rihapur shqyrtimin gjyqësor për të gjitha çështjet e regjistruara në këtë gjykatë.

 

Vendimi është marrë nga Këshilli i Gjykatës në mbledhjen e 28 shkurtit, i cili vendosi rifillimin e ushtrimit të shërbimeve gjyqësore për të gjitha kërkesat e depozituara në këtë gjykatë, godina e të cilës doli jashtë funksioni si pasojë e dëmtimeve të pësuara nga tërmeti i nëntorit.

 

Proçeset gjyqësore zhvillohen në ambjentet e prokurorisë së Lezhës, e cila ka vënë në dispozicion 7 zyra të cilat janë përshtatur në salla gjyqi dhe zyra për administratën e gjykatës.

 

Kushtet e punës në ambjentet e prokurorisë nuk janë aspak të përshtatshme, pasi në dispozicion të 5 gjyqtareve janë vetem 3 salla ku mund të zhvillohen gjyqe, por kështu do të vijohet deri sa të gjendet zgjidhje për godinen e gjykatës. Të vetmet gjyqe që ishin të pezulluara në këtë periudhe ishin ato me karakter civil.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *