Subscribe

“Niveli i lartë i papunësisë ishte i pritshëm; qeveria ka qenë e papërgatitur”. Kështu shprehet pedagogu i Fakultetit të Ekonomisë, Sherif Bundo për krizën ekonomike që ka goditur vendin, pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit dhe pandemisë së shkaktuar nga COVID-19.

Në një lidhje me emisionin “E-zonë” në Vizion Plus, Bundo bën përgjegjëse qeverinë për mosreduktimin në minimum të efekteve negative përmes programeve të veçanta. Ai sugjeron ndërprerjen e prishjes së kontratave të punësimit.

“A kemi treguar vizionin e qartë për këto fenomene, të cilat i gjykojmë si të pritshme? Duhet të ishin paraprirë me programe a reforma të posaçme, të cilat duhet të reduktonin ne minimum efektet negative të shkaktuara nga kriza dhe të mund të inkurajonin ridinamizimin e zhvillimit të vendit. Ekonomia shqiptare edhe para dy ngjarjeve të fatkeqësisë natyrore, termeti i 26 nentorit dhe COVID, prapë nivelin e papunësisë e kishte shqetësues. Qeveria ka qenë e papërgatitur, duhet të merrej me orientimin strategjik. Duhet të ndërpritet zinxhiri i pushimeve nga puna, prishja e kontratave të punësimit.”

Sipas tij, sistemi bankar dhe qeveria duhet të bëheshin garant për kredidhënien me interes 0 % ose me interesa shumë të buta, ndërsa nuk e konsideron efektive fondin e garancisë sovrane.

“Paketat e qeverise, duke filluar me fondin sovran nuk janë bërë eficente, mekanizmi nuk ka qenë shumë i aksesueshëm,  bankat janë treguar konservatore. Fondi sovran u konceptua gabim. Në këndvështrimin tim, fondi sovran duhej të përdorej edhe për të inkurajuar kredidhënien. Sistemi bankar dhe qeveria duhet të bëheshin garant për kredidhënien me interes 0 % ose me interesa shumë të buta, e për të zgjeruar aktivitetin. Sektori i turizmit nuk e merr veten për këtë vit. Masat duhet të shpejtohen. Viti 2021 do të jetë viti i inkurajimit, ne na duhet një periudhe dy deri në tre vjet që të kapim nivelin e punësimit që kemi pasur në prag të pandemisë.”

Sa i përket heqjes së tatim-fitimit të bizneseve të vogla me xhiro deri në 14 milionë lekë në vit, Bundo shprehet se nuk është një masë që garanton rritjen ekonomike.

“Qeveria ta bëjë TVSH zero për vitin 2020, edhe për 6 mujorin e pare të 2021. Biznesi i vogël i lehtësuar ka qenë. Biznesi i vogel me aktivitet ekonomik deri me 14 mln lekë të reja ka qenë tërësisht i përjashtuar nga tatimi mbi fitimin ose ka qenë i aplikuar tatimi i thjeshtuar mbi fitimin, vetëm 5 për qind me bizneset me xhiro nga 8 deri në 14 milionë. Edhe nëse TVSH hiqet për këtë kategori biznesi, nuk është ndonjë masë kush e di se çfarë. Unë do të sugjeroja që qeveria të bënte politika sektoriale; sektorët që janë goditur me shumë dhe ato më lehtë. Këto politika duhet të mbështeteshin me kurajo, me masa të karakterit fiskal, por edhe me masa të kreditimit.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *