Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili ndodhet në Kinë në kuadër të turit strategjik në Azi, ka zbutur tonet ndaj liderit kinez Xi Jiping, të cilin dikur e ka kritikuar ashpër mbi qëndrimin ndaj Koresë së Veriut.

 

“Nuk e fajësoj Kinën. Në fund të fundit, kush mund ta fajësojë një vend për faktin se është në gjendje të përfitojë nga një shtet tjetër për hir të qytetarëve të saj?! Madje, e vlerësoj Kinën për këtë”

 

Gjatë qëndrimit në Pekin, Trump i kërkoi presidentit kinez të punojë më shumë për të bindur Korenë e Veriut të heqë dorë nga program i saj bërthamor.

 

“I kërkoj Presidentit Jinping të punojë fort. Unë di një gjë për liderin tuaj, nëse ai përpiqet me të vërtetë, mund të realizojë çdo gjë.”

 

Thirrja e Trump vjen pasi Kina është aleati kryesor ekonomik i Phenianit, sidomos në tregti.

 

Në kulmin e tensioneve mes SHBA-së dhe Koresë së Veriut, Kina mbajti një qëndrim neutral, madje I bëri thirrje dy vendeve të zgjidhin konfliktin në rrugë paqësore, thirrje të cilën Trump e kritikoi ashpër.

 

Pheniani ka qenë në krye të agjendës së Trump gjatë turit të tij në Azi, pas kërcënimeve të vazhdueshme me sulme ndaj SHBA dhe aleatëve të saj.

 

Nga ana tjetër Pekini pretendon se është duke bërë gjithçka që mundet dhe këmbëngul se po zbaton plotësisht sanksionet e OKB-së. Shtëpia e Bardhë e sheh rolin e Pekinit si vendimtar ne përpjekjet për te ndalur programin bërthamor të Koresë së Veriut.

 

Krerët e dy ekonomive më të mëdha në botë pritet gjithashtu të diskutojnë deficitin e tyre tregtar. Dje ata nënshkruan edhe një marrëveshje me vlerë 250 miliardë dollarë, edhe pse nuk është e qartë nëse këtu përfshihen edhe marrëveshje të së kaluarës.

 

Pas vizitës në Pekin, Trump pritet të vizitojë Vietnamin dhe Filipinet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *