Presidenti amerikan Donald Trump mbetet i vendosur të zhvendosë ambasadën e SHBA nga Tel Aviv drejt Jerusalemit, edhe pas paralajmërimeve nga aleatët kryesorë që e kundërshtojnë këtë lëvizje.

 

Në një bisedë telefonike me presidentin Mahmoud Abbas, Trump ka insistuar në përmbushjen e premtimit.

 

Palestinezët thanë se Abbas e paralajmëroi presidentin Trump për rreziqet e një hapi të tillë dhe shtoi se është në krahun e aleatëve të tjerë për ta parandaluar.

 

Nga ana tjetër Turqia i është shtuar listës së aleatëve kryesorë, të shqetësuar për pasojat e njohjes së Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit nga Presidenti Donald Trump.

 

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha se kjo lëvizje do të ishte kalimi i vijës së kuqe për myslimanët dhe nëse ndodh, Turqia do të shkëpusë të gjitha marrëdhëniet me shtetin hebre.

 

Turqia e quan këtë vendim të presidentit amerikan si një “gabim fatal”, që do të ndezë konflikt të ri në Lindjen e Mesme.

 

Tre aleatë të tjerë të mëdhenj të SHBA kanë shprehur shqetësimet e tyre këtë javë rreth planeve të raportuara të Administratës Trump për të njohur Jerusalemin si kryeqytetin izraelit, një premtim që Donald Trump ia bëri publikisht kryeministri Benjamin Netanjahu në takimin e parë të tyre në Uashington pas zgjedhjes së Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë.

 

Presidenti francez Emmanuel Macron është shprehur se çdo vendim për statusin e këtij qyteti duhet marrë në kuadër të negociatave mes izraelitëve dhe palestinezëve. Një tjetër aleat i SHBA-së, këtë herë nga bota arabe, Arabia Saudite, i shprehu Uashingtonit shqetësime të njëjta. Më herët, paralajmërime të ngjashme u bënë nga disa vende arabe dhe myslimane.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *