Presidenti Donald Trump ka vënë në pikëpyetje aftësitë mendore të rivalit të tij demokrat në zgjedhjet e nëntorit, ish-nënpresidentit Joe Biden duke u shprehur se zoti Biden “nuk është kompetent për t’u bërë president”.

Presidenti bëri një numër sulmesh gjatë një interviste të transmetuar të dielën në emisionin “Fox News Sunday”. Presidenti tha se zoti Biden “nuk lidh dot dy fjali bashkë”.

“E nxjerrin në publik. Ai del në skenë dhe përsërit fjalë. I bëjnë pyetje, ai lexon në ekran nga teksti i parapërgatitur, pastaj ikën e fshihet në qilar,” tha presidenti.

“Më thoni, a duan vërtetë amerikanët një udhëheqës të tillë në një kohë kur po përballemi me probleme me vende të tjera që po përpiqen të na bëjnë të keqen?”

Fushata e Presidentit Trump ka transmetuar reklama që vënë në pikëpyetje aftësitë mendore të 77-vjeçarit Joe Biden, i cili do të ishte presidenti më i moshuar në historinë e vendit nëse fiton më 3 nëntor. Donald Trump, 74-vjeçar, është aktualisht presidenti më i moshuar në historinë e vendit.

Joe Biden u përgjigj të dielën, duke thënë në një deklaratë se ai është i përqëndruar tek pandemia, duke shtuar “Presidenti Trump duhet të kishte dëgjuar me kohë njerëz të tjerë përveç vetes, lidhur me mënyrat për të luftuar virusin, pasi pas gjashtë muaj keqmenaxhimi vdekjeprurës, virusi po avancon edhe më tepër jashtë kontrollit”.

“Zoti President, injoranca juaj nuk është virtyt, apo shenjë force; ajo po minon përpjekjet tona kundër kësaj krize të pashembullt,” thotë zoti Biden në deklaratë.

Gazetari televiziv i rrjetit Fox, Chris Wallace, e zhvilloi intervistën të premten në Shtëpinë e Bardhë. Ai e pyeti presidentin nëse mendon se rivali Joe Biden po vuan rënien e aftësisë logjikuese si rezultat i moshës.

“Nuk dua të deklaroj diçka të tillë. Por do të thoja se ai nuk është kompetent për t’u bërë president,” u përgjigj zoti Trump. “Që të bëhesh president, duhet të kesh logjikë të mprehtë dhe të jesh i fortë. Joe Biden nuk e di a është gjallë,” tha presidenti.

Presidenti republikan u shpreh se nëse rivali demokrat do të ballafaqohej me të njëjtat pyetje tendencioze që po i bënte atij gazetari Wallace, Joe Biden do të përfundonte i ulur përdhe, duke u lutur “Mami, mami, të lutem më ço në shtëpi”.

Presidenti deklaroi se do ta mundte rivalin Biden, megjithëse gazetari i tregoi shifrat e anketave të rrjetit FOX, sipas të cilave Joe Biden kryeson në shkallë kombëtare me një rezultat 49 me 41% krahasuar me zotin Trump. Anketa të tjera kanë rezultuar në rezultate të ngjashme. Një kombinim i të dhënave të anketave i përgatitur nga organizata “Real Clear Politics” tregon se Joe Biden kryeson me diferencë 8.6%.

Një anketë me votues të regjistruar tregonte se, ndryshe nga pretendimet e presidentit, shumë amerikanë mendojnë se Donald Trump nuk ka karakteristikat e nevojshme për të qenë president. Më pak se gjysma e të anketuarve mendojnë se ai demonstron logjikë të shëndetshme (43%), inteligjencë (42%) dhe gjykim (40%) për të udhëhequr në mënyrë efektive.

Por presidenti i hodhi poshtë rezultatet e anketave si “sajesa” dhe tha se do të fitojë “sepse vendi, në fund të fundit, nuk do të zgjedhë një person të mbaruar, mendërisht të mbaruar”.

Presidenti nuk pranoi të deklarojë nëse do të pranojë rezultatet e zgjedhjeve nëse humbet.

“Nuk kam si ta di deri kur t’i shoh. Do të varet,” tha presidenti. Ai ngriti pretendimin se votat me postë, që kërkojnë demokratët dhe disa republikanë për të mos ekspozuar votuesit ndaj virusit, “do të rezultojnë në manipulim votash”.

“Nuk jam nga ata që e pranoj lehtë humbjen. Nuk më pëlqen të humb. Nuk humbas shpesh,” tha presidenti.

Vetëm dy presidentë në dekadat e fundit, Jimmy Carter në 1980 dhe George H.W. Bush në 1992 nuk arritën të rizgjidhen për një mandat të dytë presidencial./ VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *